Me rastin e 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, dhjetëra veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë marshuar në sheshet e Prishtinës.
Marshi, i cili u përcoll nga qytetarët në qendër të Prishtinës, kishte për qëllim përkujtimin e sakrificës dhe vlerave të UÇK-së. Ish-pjesëtarët e UÇK-së me flamuj në duar kënduan edhe këngë motivuese të ushtrisë gjatë marshit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se liria e fituar me sakrificë duhet të shoqërohet me përgjegjësi për ndërtimin e institucioneve dhe të ardhmes së vendit.
"Kemi bërë një marsh si shenj e përkujtimit të sakrificës së madhe të vlerave të UÇK-së dhe të secilit dëshmorë të secilës familje që ka sakrifikuar çdo gjë që sot ta kemi lirinë", tha Rama.
Në shënim të 27-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal i Prishtinës po ashtu mbajti seancë solemne, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe mysafirë të tjerë.
Në këtë seancë u vlerësua sakrifica për liri, rrugëtimi i shtetndërtimit dhe zhvillimi i kryeqytetit ndër vite.






















