Ngrihet aktakuzë për krime lufte ndaj ish-gardianes së Burgut të Prishtinës

Sipas aktakuzës, e pandehura N.C. “i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme”.

By
Ngrihet aktakuzë për krime lufte ndaj ish-gardianes së Burgut të Prishtinës / TRT Balkan

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës N.C., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Siç njofton Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar, gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës.

“Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim.

Tutje, Prokuroria njofton se si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor.

Rasti i ka kaluar për shqyrtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.