Trumpi: Izraeli dhe Libani në bisedime të drejtpërdrejta për herë të parë pas 34 vitesh
Presidenti amerikan njoftoi se ditën e sotme pritet që të ketë një takim ballë për ballë me liderët e Izraelit dhe Libanit.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën vonë se liderët e Izraelit dhe Libanit do të flasin drejtpërdrejt me njëri-tjetrin të enjten, për herë të parë në rreth tre dekada.
“Po përpiqemi të krijojmë pak hapësirë frymëmarrjeje mes Izraelit dhe Libanit. Ka kaluar shumë kohë që nga hera e fundit që dy liderët kanë folur, rreth 34 vite. Do të ndodhë nesër”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
Njoftimi vjen pas një takimi të martën në Departamentin e Shtetit midis ambasadores së Libanit, Nada Hamadeh, dhe ambasadorit të Izraelit, Yechiel Leiter, i organizuar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, së bashku me ambasadorin amerikan në Liban Michel Issa, këshilltarin e Departamentit të Shtetit Michael Needham dhe ambasadorin e ShBA-së në OKB Mike Waltz.
Grupi Hezbollah nuk ishte i përfaqësuar në takim.
Trump tha javën e kaluar se i kishte kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të ulte sulmet ndaj Libanit dhe se ishte informuar se Izraeli do të “zvogëlonte” operacionet.
Izraeli ka vazhduar sulmet në jug të Libanit pas një sulmi ndërkufitar nga Hezbollah më 2 mars, pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi në nëntor 2024.
Autoritetet shëndetësore libaneze thonë se më shumë se 2.000 persona janë vrarë dhe mbi një milion janë zhvendosur që nga marsi.