| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut voton rikonstruimin e qeverisë, zgjidhen tetë ministra të rinj
Zgjedhja e ministrave të rinj vjen si pjesë e rikonstruimit të kabinetit qeveritar, me qëllim "forcimin e funksionimit të institucioneve dhe rritjen e efikasitetit në disa sektorë kryesorë".
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut voton rikonstruimin e qeverisë, zgjidhen tetë ministra të rinj
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut voton rikonstruimin e qeverisë, zgjidhen tetë ministra të rinj/ AA

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar zgjedhjen e ministrave të rinj në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, pasi propozimet morën mbështetjen e 69 deputetëve.

Me shumicën e votave “pro”, deputetët votuan emërimin e ministrave të rinj në disa dikastere qeveritare.

Zgjedhja e ministrave të rinj vjen si pjesë e rikonstruimit të kabinetit qeveritar, me qëllim "forcimin e funksionimit të institucioneve dhe rritjen e efikasitetit në disa sektorë kryesor".

Ministër i ri i Drejtësisë u emërua Jeton Shasivari (VLEN), ministër për Marrëdhënie mes Bashkësive Agon Ferati (VLEN), ministër i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Ekonomisë së Ujërave Borçe Serafimovski (Lëvizja ZNAM), ministër i Shëndetësisë Sasho Klekovski (VMRO-DPMNE), ministër i Politikës Sociale, i Demografisë dhe i të Rinjve Gjoko Vellkovski (VMRO-DPMNE), ministër i Vetëqeverisjes Lokale Ivan Stoillkoviq (DPSM), ministër i Kulturës dhe i Turizmit Sedat Sulejmani (VLEN) dhe ministër pa resor Erxhan Demir.

Rikonstruimi i qeverisë u propozua nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe ishte në rendin e ditës të seancës së 112-të parlamentare.

Më herët, si pjesë e rikonstruimit të qeverisë, u shkarkuan disa ministra nga dikasteret në fjalë, duke i hapur rrugë emërimit të ministrave të rinj.

Ndërrimi i ministrave në qeveri ndodh në gjysmën e mandatit të kryeministrit Mickoski. Në një konferencë për media më herët pas seancës së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, kryetar i të cilit është, ai tha se ky rindërtim i qeverisë shënon fillimin e një faze të re pas dy viteve të kaluara të punës së kësaj qeverie, “të mbushura me sfida serioze, duke hedhur themele, duke e stabilizuar situatën dhe duke zbatuar projekte të mëdha”.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë