Trumpi thotë se “nuk di asgjë” për vajzat e përmendura në emailin e sapo publikuar të Epsteinit

“Nuk di asgjë për këtë. Po të ishte e vërtetë, do ta kishin bërë publike shumë kohë më parë”, tha Trump për gazetarët në bordin e Air Force One.

By
Trumpi thotë se “nuk di asgjë” për vajzat e përmendura në emailin e sapo publikuar të Epsteinit / Reuters

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk ka dijeni për “vajzat” e përmendura nga Jeffrey Epstein në disa emaila të publikuar së fundmi nga Kongresi.

“Nuk di asgjë për këtë. Po të ishte e vërtetë, do ta kishin njoftuar shumë kohë më parë”, tha Trump sipas një regjistrimi audio të shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë.

Në një nga emailat, Epstein pretendonte se Trump “i dinte për vajzat”, duke iu referuar me gjasë deklaratës së mëparshme të Trumpit se e kishte përjashtuar Epsteinin nga Mar-a-Lago për shkak se kishte tentuar të joshte vajza të reja nga klubi i tij në Palm Beach.

Trump më herët është shprehur se Epstein “i vodhi” vajzat nga Mar-a-Lago dhe se ishte përjashtuar nga klubi për sjellje “të neveritshme”.

Duke iu referuar demokratëve të profilit të lartë, për të cilët Trump kërkoi sot nga Departamenti i Drejtësisë që të hetohen për lidhjet e tyre me Epsteinin, presidenti tha se hetuesit duhet të zbulojnë arsyet pse Jeffrey Epstein kalonte kaq shumë kohë me figura si Bill Clinton, ish-rektori i Harvardit Larry Summers, dhe drejtues të tjerë të fuqishëm.

“Kam pasur marrëdhënie shumë të keqe me Jeffrey Epstein për shumë vite. Por ai e njihte fuqinë, sepse unë isha president, ndaj diktoi disa memo për vete”, shtoi Trump.

“Do të zbuloni se çfarë dinte ai për Bill Clinton, për drejtuesin e Harvardit dhe për të gjithë ata njerëz që njihte, përfshirë edhe JP Morgan Chase”, përfundoi ai.