Kreu i Çështjeve Fetare të Türkiyes jep mesazh "uniteti, bashkimi dhe vëllazërie" në RMV

Arpaguş, i cili mori pjesë në një program iftari në Shkup, këto organizime i cilësoi si sofra dashurie, për të ndarë dashurinë e tyre.

By
Kreu i Çështjeve Fetare të Türkiyes jep mesazh "uniteti, bashkimi dhe vëllazërie" në RMV / AA

Kryetari i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes, Safi Arpaguş, në një program iftari të mbajtur në Maqedoninë e Veriut tha se "lavdia dhe falënderimi i takon të Madhit Zot, i cili na krijoi të barabartë në krijim dhe vëllezër në besim dhe e bëftë të përhershme vëllazërinë, unitetin, bashkimin dhe dashurinë tonë".

Në bashkëpunim mes Kryesisë së Çështjeve Fetare, Fondacionit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes (TDV) dhe Ambasadës së Türkiyes në Shkup, u organizua një program iftari në kryeqytetin Shkup.

Në programin e iftarit morën pjesë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes Arpagus, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, politikanë nga Maqedonia e Veriut, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, si dhe shumë të ftuar.

Në fjalën e tij, Arpaguş përcolli përshëndetjet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Duke theksuar se ndodhen në programet e iftarit, të cilat i cilësoi si sofra dashurie, për të ndarë dashurinë e tyre, Arpaguş tha: "Zoti i Madh na krijoi si vëllezër. I Dërguari ynë i dashur na porositi se 'nuk mund të hyni në parajsë pa besuar dhe nuk mund të keni besim të vërtetë pa e dashur njëri-tjetrin', duke urdhëruar që lidhjet e dashurisë dhe përzemërsisë mes nesh të jenë të përhershme. Lavdia dhe falënderimi i takon të Madhit Zot, i cili na krijoi të barabartë në krijim dhe vëllezër në besim dhe e bëftë të përhershme vëllazërinë, unitetin, bashkimin dhe dashurinë tonë".

Arpaguş tha se sot mund t'i kenë ndarë kufijtë fizikë, por zemrat, shpirtrat dhe dashuria e tyre kurrë nuk do të kenë kufij.

Ndërkaq, ambasadori Ulusoy falënderoi Kryesinë e Çështjeve Fetare për organizimin e iftarit dhe theksoi se Maqedonia e Veriut përfshin të gjithë elementët e Ballkanit me kulturën e bashkëjetesës.

Ulusoy gjithashtu theksoi se komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut jep kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.

"Si Türkiye, ne nuk e ndajmë sigurinë, mirëqenien dhe stabilitetin e Ballkanit nga siguria, mirëqenia dhe stabiliteti ynë dhe me një qasje që përfshin dhe përqafon të gjitha segmentet e Maqedonisë së Veriut vazhdojmë ta mbështesim këtë vend mik, aleat dhe vëlla përmes Ministrisë së Arsimit Kombëtar, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve, Institutit Yunus Emre, Kryesisë sonë të Çështjeve Fetare dhe shumë institucioneve të tjera", tha Ulusoy.

Ndërkaq, këshilltari për Shërbimet Fetare pranë Ambasadës së Türkiyes në Shkup, Mustafa Bodur, duke folur për aktivitetet që zhvillojnë, theksoi se nuk janë vetëm një përfaqësi që kryen shërbime bamirësie dhe fetare, por gjithashtu ofrojnë mundësi konvikti dhe bursa për të rinjtë nga Maqedonia e Veriut që dëshirojnë të studiojnë në Türkiye.