Dita e diel është shpallur Ditë Zie Kombëtare në Shqipëri pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me dije se më 2 nëntor ndeshjet e planifikuara në kampionatin “Abissnet Superiore”, Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë, Kategorinë e Tretë, kampionatin e vajzave dhe kampionatet e moshave do të shtyhen.
Në kampionatin “Abissnet Superiore”, takimet e ditës së diel do të spostohen të hënën në të njëjtin orar, ndërsa ndeshjet që ishin planifikuar për të hënën do të luhen të martën në orën 16:00.
Ashtu siç është bërë e ditur më parë, në të gjitha ndeshjet e kampionateve “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë do të mbahet një minutë heshtje në nder të kujtimit të Fatos Nanos.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Prej disa kohësh ai ndodhej në reanimacion në një prej spitale private të vendit ku po mbahej nën kujdesin e mjekëve, teksa gjendja shëndetësore u rëndua gjatë ditëve të fundit.























