Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka zhvilluar një aksion para zyrave të KEK-ut në Prishtinë, për të kërkuar siguri më të lartë për punonjësit.
Fotografitë e katër punonjësve të KEK-ut të cilët ndërruan jetë gjatë vitit 2026 në vendin e punës u vendosën në dritaret e zyrave të Korporatës.
"Punëtorët nuk janë numra, janë jetë", "Kërkojmë staf mjekësor dhe autoambulancë 24 orë", "Stop menaxhimit represiv", ishin disa nga mesazhet e vendosura nga protestuesit.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, tha se sikur të kishte një menaxhim më i mirë, me një siguri më të madhe, sot punëtorët e vdekur do të ishin përkrah të gjallëve.
Ai tha se institucionet duhet të bëjnë më shumë për zbatimin e Ligjit të Punës në mënyrë që punëtorët të ndihen më të sigurt në vendin e punës.
"Vendosëm disa fotografi të kolegëve tanë që kanë humbur jetën në vendin e punës. Dje me vendim të kryesisë dhe Këshillit Ekzekutiv të Sindikatës së Re, këta punëtorë: Migjen Sadikun, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin, Sindikata e Re i shpall heronj të punës me mirënjohje post-mortum", tha Jashari.
Aksioni është zhvilluar disa ditë pas vdekjes së punonjësit Arbenit Ahmeti
Aksioni është zhvilluar disa ditë pas vdekjes së punonjësit Arbenit Ahmeti në këtë institucion, i cili dyshohet se ra në kontakt me tensionin elektrik.
Sipas njoftimit të KEK-ut, pas aksidentit u ndërmorën veprimet emergjente dhe Ahmeti u dërgua për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk ka arritur t'u mbijetojë lëndimeve të marra.
Sindikata e Re e KEK-ut ka paralajmëruar për ditën e nesërme se do të mbahet edhe një protestë, duke filluar nga ora 08:00 në tri divizione të KEK-ut.



















