Türkiye planifikon të ndajë më shumë se 20 miliardë lira turke (398.7 milionë dollarë) për Agjencinë Turke të Hapësirës (TUA), me qëllim përshpejtimin e objektivave të Programit Kombëtar të Hapësirës dhe uljen e varësisë së vendit nga teknologjitë e huaja të hapësirës dhe aviacionit.
Fondet do të mbështesin sipërmarrjen në fushën e teknologjisë së lartë, kërkimin dhe zhvillimin si dhe prodhimin dhe testimin në vend të sistemeve dhe nënsistemeve kryesore hapësinore. Ato do të përshpejtojnë përpjekjet në kuadër të programit të eksplorimit të Hënës nga Türkiye, me synimin për të realizuar një ulje të kontrolluar në sipërfaqen hënore vitin e ardhshëm dhe për të siguruar qasje të pavarur në orbitë përmes një porti hapësinor në Somali.
Alokimi vjetor në kuadër të paketës financiare trevjeçare pritet të rritet nga 117.2 milionë dollarë në vitin 2027, në 134.5 milionë dollarë në vitin 2028 dhe të arrijë në 147.4 milionë dollarë në vitin 2029. Nga fondet e përgjithshme, rreth 398.5 milionë dollarë do të ndahen për mbështetjen e Programit të Hapësirës dhe Aviacionit të vendit ndërsa rreth 533.400 dollarë do të rezervohen për Programin e Menaxhimit dhe Mbështetjes.
Anija kozmike për misionin hënor, e zhvilluar nën udhëheqjen e departamentit të hapësirës të Institutit për Kërkime Shkencore dhe Teknologjike (TÜBITAK), do të kryejë kërkime në orbitën e Hënës dhe më pas do të zbresë në sipërfaqen e saj duke përdorur sistemin e vet hibrid të shtytjes, të zhvilluar në vend.
TUA-ja po punon për të siguruar qasje të pavarur në orbitë përmes zhvillimit të teknologjive vendore të raketave dhe krijimit të një porti hapësinor në Somali. Kjo do t’i mundësojë Türkiyes të lëshojë satelitët e saj dhe në të ardhmen të përmbushë kërkesat globale për lëshime në hapësirë.
Agjencia synon eksplorimin e hapësirës së thellë përmes ngritjes së një qendre të avancuar kërkimore dhe zhvillimore për zhvillimin e teknologjisë së shkrirjes bërthamore, e cila do të përdoret në sistemet e ardhshme të shtytjes. Pritet që objekti të përfundojë 60 për qind të punimeve deri në vitin e ardhshëm dhe të jetë plotësisht funksional deri në vitin 2029.
Ndërkohë, janë duke u zhvilluar planet për krijimin e një qendre aplikative për motin hapësinor, e cila do të monitorojë dhe modelojë ndryshimet e kushteve në hapësirë. Pritet që kjo qendër të përfundojë deri në 40 për qind të punimeve gjatë periudhës trevjeçare të financimit.





















