Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi të mërkurën një telefonatë me Presidentin e ShBA-së, Donald Trump, për ta diskutuar armëpushimin e shpallur së fundmi me Iranin dhe zhvillimet më të gjera në rajon, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.
Sipas një deklarate të shpërndarë në platformën turke të mediave sociale NSosyal, dy liderët shqyrtuan situatën e fundit në rajon, me fokus te armëpushimi i shpallur të martën në mbrëmje.
Erdoğan shprehu kënaqësi për armëpushimin, duke theksuar se dritarja dyjavore pas një periudhe të vështirë 40-ditore ofron një mundësi të rëndësishme për të ecur drejt një marrëveshjeje paqeje të përhershme.
Ai theksoi nevojën për ta shfrytëzuar në mënyrë efektive këtë periudhë dhe paralajmëroi kundër çdo veprimi që mund të sabotojë procesin.
Presidenti turk nënvizoi gjithashtu se Türkiye do të vazhdojë të rrisë mbështetjen për përpjekjet diplomatike të zhvilluara me vendet mike dhe vëllazërore, veçanërisht Pakistanin, me synim arritjen e një zgjidhjeje.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të martën një armëpushim dyjavor me Iranin, duke thënë se Teherani kishte paraqitur një propozim “të zbatueshëm” me 10 pika për negociata.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit tha se propozimi me 10 pika, i dorëzuar ShBA-së përmes ndërmjetësimit pakistanez, përfshin një angazhim kyç të ShBA-së për mosagresion, kontroll të vazhdueshëm të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, pranimin e pasurimit të uraniumit dhe heqjen e të gjitha sanksioneve primare dhe sekondare.
Propozimi përfshin gjithashtu pagesën e kompensimeve ndaj Iranit, tërheqjen e forcave luftarake amerikane nga rajoni dhe përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë kundër Hezbollahut në Liban.
















