Një gjykatë në Paris shpalli të hënën fajtore njësinë Lafarge të prodhuesit të çimentos Holcim, për akuzat se filiali i saj sirian financoi terrorizmin dhe shkeli sanksionet europiane për të mbajtur në funksionim një fabrikë në veriun e Sirisë gjatë luftës civile të vendit.
Tetë ish-punonjës të kompanisë Lafarge, duke përfshirë drejtues, u shpallën gjithashtu fajtorë për financim terrorizmi.
Gjyqtarët përcaktuan se kompania Lafarge gjithsej pagoi 5,59 milionë euro (6,53 milionë dollarë) grupeve terroriste, duke përfshirë DAESh-in dhe Frontin Nusra të lidhur me Al-Kaedën — të dy të shpallura entitete terroriste nga BE-ja — midis vitit 2013 dhe shtatorit 2014.
Gjyqtarja kryesuese, Isabelle Prevost-Desprez, tha se pagesat e bëra nga kompania Lafarge ndihmuan në forcimin e grupeve që kryen sulme vdekjeprurëse në Siri dhe më gjerë.
"Gjykata ka bindjen e plotë se qëllimi i vetëm i financimit të një organizate terroriste ishte të mbahej fabrika siriane në punë për arsye ekonomike. Pagesat ndaj entiteteve terroriste i mundësuan kompanisë Lafarge t’i vazhdonte operacionet e tij," tha Prevost-Desprez.
"Këto pagesa morën formën e një partneriteti të vërtetë tregtar me DAESh-in," shtoi ajo.
Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga kompanitë Lafarge apo Holcim.
Dokumentari i bërë nga TRT World
Në vitin 2021, një hetim i TRT World zbuloi aktivitetet e paligjshme të Lafarge-it në Siri dhe se si fabrika shërbeu si mbulim për shërbimet sekrete franceze.
Dokumentari, i titulluar "Fabrika: Një Operacion i Fshehtë Francez", zbuloi operacionin e Francës për ta mbështetur organizatën terroriste DAESh nëpërmjet gjigantit francez të çimentos Lafarge.
Ai ishte rezultat i një hetimi dyvjeçar dhe analizës së më shumë se gjysmë milioni dokumenteve, duke zbuluar një nga episodet më të errëta të luftës civile siriane.
Dokumentari detajoi pse kompania Lafarge vendosi të qëndronte në Siri dhe ta mbante fabrikën e vet në funksionim gjatë gjithë luftës, si u devijuan fondet e BE-së drejt grupeve terroriste DAESh dhe PKK, me dijen dhe mbulimin e agjencive franceze të inteligjencës.
Hetimi fokusohet gjithashtu te hapat që politikanët dhe agjencitë e inteligjencës franceze ndërmorën për ta shpëtuar kompaninë Lafarge nga procedurat ligjore, dhe se si procesi i financimit të DAESh-it në Siri përfundoi duke i financuar sulmet e Parisit të vitit 2015.














