Një mjeshtër 63-vjeçar nga Kirkuku në Irak, i cili prej gjysmë shekulli u jep jetë orëve antike, po përcjell njohuritë dhe përvojën e tij te brezat e ardhshëm.
Në dyqanin e tij modest në rrugën Hamra, në qendër të Kirkukut, Cuma Saatçi riparon me kujdes orë antike muri, tavoline, dore dhe xhepi. Pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, ai vazhdon ta ushtrojë profesionin që e ka nisur si nxënës në moshë të vogël dhe në të cilin ka më shumë se 50 vjet përvojë.
Herë riparon orë të prishura, e herë u rikthen pamjen e dikurshme orëve që janë përdorur për shumë vite.
Përvojë profesionale përtej kufijve të vendit
Në një intervistë për Anadolu, Saatçi tha se e kishte nisur zanatin si ndihmës që në fëmijëri dhe se me kalimin e kohës ishte lidhur aq shumë me të, saqë nuk kishte mundur ta braktiste.
Ai tregoi se për shkak të pushtimit, luftërave dhe konflikteve sektare në Irak, në të kaluarën ishte detyruar të largohej nga vendi. Gjatë qëndrimit në Türkiye dhe Norvegji kishte vazhduar të ushtronte profesionin e tij.
Saatçi theksoi se numri i mjeshtërve që merren me këtë zanat është shumë i vogël jo vetëm në Kirkuk, por edhe në pjesë të tjera të botës, megjithëse orët antike vazhdojnë të kenë admiruesit e tyre.
Dyqani që ngjan me një muze
Mjeshtri tha se vizitorët që hyjnë në dyqanin e tij i shqyrtojnë orët sikur të ndodheshin në një muze, ndërsa disa prej tyre krijojnë edhe përmbajtje për rrjetet sociale.
Ai u shpreh se ndihet i kënaqur edhe kur njerëzit e vizitojnë dyqanin vetëm për të parë koleksionin e orëve.
"Në dyqanin tonë gjenden kryesisht orë të prodhuara nga vitet 1950 e tutje. Përveç orëve antike, merremi edhe me riparimin dhe shitjen e orëve të xhepit, të dorës dhe të llojeve të tjera. Më pëlqen edhe fakti që njerëzit këtu bëjnë një udhëtim në kohë", tha Saatçi.
Teknologjia e orëve ka ndryshuar ndër vite
Duke folur për zhvillimin e teknologjisë së orëve, Saatçi tha se orët me kurdisje u pasuan nga ato automatike, ndërsa nga fundi i viteve 1960 filluan të dalin në treg edhe orët digjitale. Ai shtoi se ka qenë dëshmitar i të gjitha këtyre ndryshimeve.
"Prej gjysmë shekulli jetoj së bashku me këto ndryshime dhe zhvillime. Riparimi dhe shitja e orëve antike më kthejnë disa dekada pas në kohë", tha ai, duke shtuar se e gëzon fakti që njerëzit vazhdojnë të interesohen dhe t'u japin vlerë orëve antike.
Orë antike dërgohen për riparim edhe nga jashtë vendit
Saatçi tha se klientët e tij nuk kufizohen vetëm në Kirkuk, pasi orë antike i dërgohen për riparim edhe nga vende të tjera.
Mjeshtri nga Kirkuku theksoi se vazhdon ta ushtrojë profesionin me të njëjtin entuziazëm, dashuri dhe përkushtim si në ditët e para.
Përcjell zanatin te të rinjtë
Saatçi tha se riparimi i orëve është një profesion i bukur, por që nuk mund ta ushtrojë çdokush, ndërsa numri i mjeshtërve të kualifikuar në këtë fushë po zvogëlohet vazhdimisht.
Ai tregoi se këtë mungesë e kishte vërejtur edhe më shumë gjatë qëndrimit jashtë vendit dhe se për këtë arsye dëshiron ta ruajë zanatin.
"U mësoj këtë zanat punonjësve që punojnë me mua, përfshirë edhe djalin tim, në mënyrë që profesioni të mos zhduket dhe të përcillet te brezat e ardhshëm", tha ai.
Saatçi theksoi se synimi i tij është që ky profesion të mos harrohet edhe pas tij. Ai shtoi se do të vazhdojë të punojë për aq kohë sa t'ia lejojnë mundësitë dhe se përgatitja e mjeshtërve të rinj është thelbësore për ruajtjen e zanateve të tilla, të cilat kërkojnë përkushtim dhe trajtohen si art.




















