Prokuroria urdhëron ndërprerjen e numërimit në Mitrovicë
Sipas njoftimit zyrtar, komisionerët kanë ndërprerë punën pasi janë vërejtur dallime në numrat serikë të disa fletëvotimeve.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, pas raportimeve për parregullsi gjatë procesit.
Sipas njoftimit zyrtar, komisionerët kanë ndërprerë punën pasi janë vërejtur dallime në numrat serikë të disa fletëvotimeve. Fillimisht është dyshuar për gabime teknike, por janë ngritur edhe pretendime për manipulim të qëllimshëm.
“Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies së çdo dileme, kjo urdhëresë mbetet në fuqi deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet, për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo për manipulim të mundshëm,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë, të lëshuar më 11 nëntor 2025.
Ndërprerja e procesit po ndodh gjatë numërimit të votave të balotazhit të mbajtur më 9 nëntor, për zgjedhjen e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut.