Konfirmohet rasti i parë i lisë së deleve dhe dhive në Kosovë
Sipas vendimit, ndalohet lëvizja e deleve dhe dhive nga fermat, tregtimi në tregje si dhe shitblerja e tyre, ndërsa fermat ku konfirmohet sëmundja vendosen në izolim të plotë dhe ndalohet çdo hyrje-dalje e kafshëve.
Institucionet veterinare në Kosovë kanë konfirmuar rastin e parë të sëmundjes Lija e Deleve/Dhive (Sheep Pox/Goat Pox), në fshatin Sazli të komunës së Ferizajt, duke vendosur masa të menjëhershme për kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së saj.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi se pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe testimeve laboratorike në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, sëmundja është konfirmuar në një fermë me dele në këtë fshat.
Autoritetet kanë vendosur masa të përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit, të cilat mund të ndryshojnë në varësi të situatës epidemiologjike.
Sipas vendimit, ndalohet lëvizja e deleve dhe dhive nga fermat, tregtimi në tregje si dhe shitblerja e tyre ndërsa fermat ku konfirmohet sëmundja vendosen në izolim të plotë dhe ndalohet çdo hyrje-dalje e kafshëve.
Vendimi obligon fermerët që për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve të njoftojnë menjëherë veterinerin ndërsa praktikat veterinare duhet të zbatojnë protokollet për parandalimin dhe luftimin e sëmundjes. Po ashtu, kërkohet aktivizimi i masave të biosigurisë në ferma dhe përcaktimi i lokacioneve për groposjen e kafshëve të ngordhura nga komunat.
Përjashtimisht, lejohet lëvizja e kafshëve nga fermat e lira nga sëmundja vetëm drejt thertoreve të licencuara, me pëlqim paraprak të inspektorit veterinar të AUV-së.
Me hyrjen në fuqi të vendimit, menaxherët e tregjeve janë urdhëruar të pezullojnë tregtimin e kafshëve të imta, ndërsa Policia e Kosovës dhe organet komunale do të mbikëqyrin zbatimin e masave në koordinim me AUV-në.
Sëmundja e lisë së deleve dhe dhive është një infeksion viral shumë ngjitës që prek këto specie dhe shkakton humbje të mëdha ekonomike. Ajo shfaqet me temperaturë të lartë, humbje oreksi, rrjedhje nga hunda dhe sytë, lezione në lëkurë dhe në raste të caktuara vështirësi në frymëmarrje.
Sëmundja transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara, sekrecioneve dhe mjedisit të kontaminuar. Autoritetet theksojnë se kjo sëmundje nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve.