Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha të enjten se Ngushtica e Hormuzit nuk mund të rihapet për sa kohë vazhdojnë kërcënimet dhe ndërhyrja e ShBA-së në trafikun detar rajonal.
“Ngushtica e Hormuzit nuk mund të rihapet për sa kohë që sulmet dhe kërcënimet e zyrtarëve amerikanë dhe ndërhyrja e tyre në lëvizjet detare në rajon vazhdojnë”, tha IRGC në një deklaratë.
IRGC paralajmëroi se "kërcënimet dhe ndërhyrjet" e vazhdueshme do ta bëjnë situatën "më të vështirë dhe më të komplikuar".
Poashtu pretendoi se dy cisterna nafte, "me nxitjen e avionëve amerikanë", u përpoqën gjatë natës të kalonin tranzit përmes asaj që e përshkroi si një "rrugë të pasigurt" në jug të ngushticës së Hormuzit.
Thuhet se të dy anijet u kthyen shpejt pasi një zjarr i madh shpërtheu në bordin e njërës prej tyre.
“Ngushtica e Hormuzit është territori ynë dhe Marina e IRGC-së e kontrollon me vendosmëri atë”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se asnjë fuqi e jashtme “që vjen nga mijëra kilometra larg” nuk do të lejohet të ndërhyjë.
Më herët, Komanda Qendrore e ShBA (CENTCOM) tha se forcat amerikane kishin kryer një "valë të rëndë" sulmesh kundër Iranit në përgjigje të asaj që e përshkroi si tentativë për sulme raketore që synonin forcat amerikane në Lindjen e Mesme.

















