| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Në Shkup nis Konferenca Rajonale Ministrore, Mickoski: Ndryshimet demografike kërkojnë përgjegjësi
Me temë "Udhëheqja e ndryshimit - rrugë të përqendruara te njerëzit për qëndrueshmëri demografike", konferenca pati në fokus ndikimin e krizave demografike në rajon.
Në Shkup nis Konferenca Rajonale Ministrore, Mickoski: Ndryshimet demografike kërkojnë përgjegjësi
Në Shkup nis Konferenca Rajonale Ministrore, Mickoski: Ndryshimet demografike kërkojnë përgjegjësi / AA

Në Shkup filloi Konferenca Rajonale Ministrore me temë "Udhëheqja e ndryshimit - rrugë të përqendruara te njerëzit për qëndrueshmëri demografike".

Në hapjen e konferencës, e organizuar nën patronazhin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim mes Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë së Maqedonisë së Veriut dhe Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri i Politikës Sociale, i Demografisë dhe i Rinisë Fatmir Limani, zëvendësministrja për Familjen dhe Shërbimet Sociale e Türkiyes, Sevim Sayim Madak, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Alain Berset, zëvendëssekretari i përgjithshëm dhe zëvendësdrejtori ekzekutiv i UNFPA-së Pio Smith, si dhe shumë të ftuar.

Kryeministri Mickoski, në fjalimin e tij, theksoi se ndryshimet demografike janë një realitet që kërkojnë përgjegjësi, vizion dhe politika sistematike.

Duke theksuar se kriza demografike tashmë ka pasoja të dukshme dhe se kjo nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje statistikore, Mickoski tha: "Për një kohë të gjatë, shumë shtete, përfshirë edhe rajonin tonë, i shihnin ndryshimet demografike ekskluzivisht përmes prizmit të shifrave".

Nga ana tjetër, Limani deklaroi: "Rajoni dhe një pjesë e madhe e Evropës, veçanërisht Evropa Lindore, po përballen me sfida serioze demografike, fertilitet të ulët, migrim dhe plakje të përshpejtuar të popullsisë. Në disa vende, popullsia është zvogëluar me një të tretën që nga vitet '90, me pasoja të drejtpërdrejta për tregun e punës, sistemet shëndetësore dhe pensionale si dhe konkurrueshmërinë ekonomike".

"Diaspora jonë përfaqëson potencial të jashtëzakonshëm dhe urë natyrore ndërmjet shteteve në botë"

Mucunski gjithashtu theksoi se sfidat demografike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e jashtme, konkurrueshmërinë ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë të shtetit.

Duke theksuar se kapitali njerëzor dhe diaspora janë burim kyç strategjik për zhvillimin dhe pozitën ndërkombëtare të shtetit, Mucunski tha: "Diaspora jonë përfaqëson potencial të jashtëzakonshëm dhe urë natyrore ndërmjet shteteve në botë. Ajo lidh njerëzit, ekonomitë, dijen dhe mundësitë e reja".

Smith theksoi se projeksionet e popullsisë duhet të përdoren sistematikisht në strategjitë zhvillimore të bazuara në parashikime dhe në planifikimin buxhetor, duke nënvizuar se rajoni ka treguar se ndryshimet demografike mund të shfrytëzohen për përparim.

"Plakja e popullsisë, të rinjtë që kërkojnë mundësi, tregjet e punës tërhiqen në drejtime të ndryshme, zonat rurale po tkurren. Sistemet shëndetësore dhe pensionale po çohen deri në kufijtë e tyre. Migrimi po e riformëson politikën. Këto janë realitete demografike", tha Berset.

Maqedonia e Veriut në dekadën e fundit ka humbur më shumë se 11 për qind të popullsisë

Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Maqedoninë e Veriut, Rita Columbia rikujtoi se Maqedonia e Veriut në dekadën e fundit ka humbur më shumë se 11 për qind të popullsisë së saj. 

"Kjo do të thotë se çdo vit humbim afërsisht sa popullsia e një qyteti të tërë, ose ekuivalentin e popullsisë së një qyteti. Prandaj, sipas projeksioneve të UNFPA-së, nëse sot nuk ndërmerret asgjë, popullsia mund të bie në 1,5 milion deri në vitin 2050. Në vitin 2023, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, pothuajse tre të katërtat e të rinjve të moshës 18 deri në 25 vjeç mendonin të largohen nga vendi i tyre", tha ajo.

Ndërkohë, zëvendësministrja për Familjen dhe Shërbimet Sociale e Türkiyes, Sevim Sayim Madak do të mbajë fjalim në panelin me temë "Fuqizimi i njerëzve: Kapitali njerëzor, politikat e orientuara drejt familjes, plakja e shëndetshme dhe aktive".

Në konferencën, e cila do të përfundojë nesër, do të organizohen panele me pjesëmarrjen e ministrave dhe zëvendësministrave nga rajoni dhe nga shumë vende të tjera.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë