| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mucunski takon homologen irlandeze: Anëtarësimi në BE, objektivi ynë strategjik
Në takimin Mucunski-McEntee janë konfirmuar marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe përkushtimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.
Mucunski takon homologen irlandeze: Anëtarësimi në BE, objektivi ynë strategjik
Mucunski takon homologen irlandeze: Anëtarësimi në BE, objektivi ynë strategjik/ Foto: MPJ e RMV-së

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka zhvilluar sot në Dublin një takim me ministren e Punëve të Jashtme, të Tregtisë dhe të Mbrojtjes të Irlandës, Helen McEntee.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme, në takim janë konfirmuar marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe përkushtimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar integrimit evropian, në prag të presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila fillon më 1 korrik. Ministri Mucunski ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Irlandës ndaj politikës së zgjerimit dhe aspiratave evropiane të vendit.

Ai e ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për vazhdimin e reformave dhe avancimin në rrugën evropiane, duke nënvizuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik dhe nxitësi kryesor i zhvillimit demokratik, ekonomik dhe shoqëror.

Bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime edhe për çështjet aktuale rajonale dhe globale, duke u pajtuar se në kushtet e sfidave të shtuara gjeopolitike dhe të sigurisë, Evropa ka nevojë më shumë se kurrë për unitet, solidaritet dhe bashkëpunim të ngushtë.

Në kuadër të vizitës, ministri Mucunski ka zhvilluar takim edhe me kryesuesin dhe anëtarët e Komitetit të Përbashkët për Çështje të Bashkimit Evropian të të dy dhomave të parlamentit irlandez.

Në takim është diskutuar për gjendjen aktuale të procesit të eurointegrimit, ndërsa ministri ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve.

Ai ka nënvizuar se një proces i besueshëm zgjerimi, i bazuar në meritë dhe përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, është thelbësor për ruajtjen e besimit në Bashkimin Evropian dhe fuqinë e tij transformuese në rajon.