Në Qeverinë e Kosovës po mbahet takimi i Këshillit Ministror Joformal 2026 ku janë mbledhur ministrat përgjegjës për energjinë dhe klimën nga rajoni i Komunitetit të Energjisë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE) për të diskutuar për sigurinë energjetike, integrimin e tregut rajonal dhe tranzicionin energjetik.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në fjalën e saj para të pranishmëve ngriti shqetësime ndaj fqinjit verior të Kosovës, Serbisë, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Komunitetit të Energjisë që obligon Serbinë të vërë në dispozicion kapacitetet ndërkufitare për tregtinë e energjisë me Kosovën, duke thënë se Beogradi nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim.
"Operatori i Transmisionit të Serbisë vazhdon të refuzojë komunikimet e drejtpërdrejta me operatorin tonë KOSTT-in, ndërsa komunikimi është i domosdoshëm për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal. Duke penguar shfrytëzimin komercial të interkonekcionit me Kosovën, Serbia po i mbingarkon kapacitetet e transmetimit në Kosovë dhe vendet fqinje dhe po i vendos një barrë të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit por veçanërisht Kosovës dhe pasojat e kësaj ne i kemi prekur shumë afër dhe rëndë vitet e kaluara. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq derisa ky obligim i Serbisë nuk zbatohet", tha Rizvanolli.
Shefja e Njësisë për Bashkimin Evropian (BE), Yolanda Garcia Mezquita potencoi se përshpejtimi i integrimit të Kosovës dhe shteteve tjera në tregun e brendshëm Evropian është tejet i rëndësishëm.
"Diskutimi sot do të fokusohet në dy prioritete të ndërlidhura. E para është përshpejtimi i integrimit të palëve në tregun e brendshëm të BE-së. Ky nuk është vetëm objektiv teknik, është investim strategjik në sigurinë e Evropës, në konkurrueshmëri dhe zgjerim. Hapi tjetër është ndërlidhja e tregut të BE-së dhe palëve kontraktuese në komunitetin energjetik", tha ajo.
Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski tha se Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor dhe në komunitetin energjetik që nuk ka lidhje direkte me shtetet anëtare të BE.
Lorkowski tha se nga ky takim duhet të dërgohet sinajl për BE-në dhe institucionet e saj se rajoni ka shënuar progres energjetik. "Të dërgojmë një sinjal të qartë për BE-në, anëtarët dhe institucionet e saj. Të themi që po, ka progres të shpejtë, në mënyrë që të jemi në përputhje me legjislaturën e BE-së dhe të jemi në gjendje të integrohemi në BE", tha Lorkowski.
Ai tha se rajoni i Ballkanit ka avantazh të rëndësishëm i cili është çmimi i përballueshëm energjetik që krijon mundësi që shtetet të përshepjtojnë procesin e lëvizjes përpara posaçërisht në sektorin e ngrohjes dhe transportit.
Komuniteti i Energjisë është organizatë ndërkombëtare që bashkon BE-në dhe vendet partnere për krijimin e një tregu të përbashkët të energjisë, harmonizimin e legjislacionit dhe avancimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër. Kosova është palë kontraktuese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë që nga viti 2006.























