Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) mbetet prioritet kombëtar i Shqipërisë, gjatë takimit me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda.
Presidenti Begaj priti sot me një ceremoni shtetërore në Pallatin e Brigadave në Tiranë, homologun e Lituanisë, ku theksohet se kjo është vizita e parë zyrtare e një presidenti lituanez në Shqipëri.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se intensifikimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në fusha zhvillimore, anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, çështjet e sigurisë në rajon dhe Evropë dhe forcimi i partneritetit si anëtarë në NATO ishin në fokus të takimit.
Sipas njoftimit, Begaj riafirmoi "marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore" midis Shqipërisë dhe Lituanisë, ku theksohet se janë të zhvilluara mbi bazën e besimit, solidaritetit dhe një vizioni të përbashkët Euroatlantik.
"Presidenti Begaj mori mbështetjen nga homologu i tij për avancimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në takim u konfirmua se një nga prioritetet e Presidencës lituaneze në 6-mujorin e parë të vitit 2027 është mbështetja e Shqipërisë dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë proces zgjerimi, Shqipëria dhe Mali i Zi janë në vijën e parë të anëtarësimit. Presidenti i Republikës theksoi se anëtarësimi në BE mbetet prioritet kombëtar i Shqipërisë. “Shqipëria, theksoi kreu i shtetit, do të vazhdojë me vendosmëri reformat e nevojshme për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”", thuhet në njoftim.
Gjatë deklaratave pas takimit, sipas njoftimit, dy homologët vlerësuan, gjithashtu, dialogun politik, ndërsa shprehën besimin për ta ngritur atë në bashkëpunim të prekshëm dhe shprehën vullnet të përbashkët "për lidhje më të forta ekonomike, duke parë mundësi të reja për investime".
"Begaj theksoi rolin e Shqipërisë si kontribuuese në sigurinë dhe stabilitetin në rajon e më gjerë në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si pjesëmarrëse aktive në misionet dhe operacionet e BE-së, si dhe në mbështetje të fortë për Ukrainën", thekson njoftimi.
Gjithashtu thuhet se në këtë takim u konfirmua se Shqipëria dhe Lituania, si dy anëtare të NATO-s, ndajnë të njëjtin vizion për sigurinë Euroatlantike. “Në kushtet e sfidave të shtuara të sigurisë në Evropë, uniteti dhe solidariteti i Aleancës mbeten thelbësore”, ka theksuar Begaj.
Gjithashtu, theksohet se presidenti Nauseda siguroi presidentin Begaj për mbështetjen e Shqipërisë si vend organizator i Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027.























