Tensione në Kuvendin e Kosovës gjatë debatit për çmimin e naftës
Në një moment gjatë fjalës së kryeministrit, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu i mori mikrofonin Kurtit dhe e akuzoi për shmangie nga tema, duke i kërkuar të “kthehet në çështjen e naftës”.
Seanca parlamentare në Kosovë është tensionuar gjatë diskutimit për rritjen e çmimit të naftës, ku deputetë të opozitës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kundërshtuan fjalimin e kryeministrit Albin Kurti dhe kërkuan që ai të fokusohej në temë.
Gjatë fjalës së tij, Kurti foli për masat qeveritare për zbutjen e inflacionit dhe theksoi se prioritet duhet të jenë zgjidhjet e qëndrueshme, duke kundërshtuar propozimet për heqjen e akcizës dhe uljen e TVSh-së, të cilat i cilësoi si masa me efekt të pasigurt dhe të kushtueshme.
Ai shtoi se përvoja e mëparshme ka treguar se ulja e TVSH-së nuk ka sjellë domosdoshmërisht ulje të çmimeve për konsumatorët, duke përmendur raste nga vitet e kaluara dhe periudha e pandemisë.
Debati u shoqërua me ndërhyrje të shumta nga deputetët e opozitës, të cilët kërkuan që kryeministri të kufizohej në rendin e ditës. Në një moment, deputetja Ganimete Musliu i mori mikrofonin Kurtit dhe e akuzoi për shmangie nga tema, duke i kërkuar të “kthehet në çështjen e naftës”.
Në përfundim, Kurti u bëri thirrje deputetëve të ruajnë qetësinë institucionale dhe të rikthehen në diskutimin e agjendës së seancës, ndërsa përplasjet verbale vijuan për disa minuta gjatë mbledhjes.