Bashkimi Evropian (BE) tha të martën se diplomatët e tij do të qëndrojnë në Kiev, pavarësisht paralajmërimit të Rusisë për sulme të vazhdueshme në kryeqytetin ukrainas.
"BE-ja po ruan praninë dhe operacionin e saj në Kiev, dhe këto kërcënime mbajnë erë dëshpërimi", u tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, gazetarëve në një konferencë shtypi në Bruksel.
"Ata duan frikë dhe izolim në Ukrainë dhe gjetkë, por ne kemi një mesazh të qartë: kjo nuk do të funksionojë", shtoi ajo.
Duke përsëritur deklaratat e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, Hipper tha se Rusia po "humbte në fushën e betejës" edhe prandaj u është kthyer përsëri në shënjestrimit të civilëve dhe infrastrukturës jo-ushtarake.
"Këto sulme janë për fat të keq një realitet i përditshëm për Ukrainën, për Kievin dhe qytetarët e saj, dhe në fakt, edhe për delegacionin tonë në terren", tha Hipper, duke vënë në dukje se selia e misionit civil të BE-së është goditur në atë që ajo e përshkroi si "sulme të pamatura".
Hipper tha gjithashtu se BE-ja ka thirrur të ngarkuarin me punë të Rusisë për të dhënë shpjegime mbi zhvillimet e fundit.
Ky incident shtoi ajo, tregoi se Rusia nuk është "absolutisht e interesuar për asnjë lloj paqeje" dhe tregoi "një shpërfillje totale" ndaj përpjekjeve në vazhdim për paqe.
BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën përmes mbrojtjes shtesë ajrore dhe mbështetjes financiare, tha ajo, duke shtuar se ministrat e jashtëm pritet të diskutojnë rritjen e presionit ndaj Rusisë në një takim të ardhshëm informal.
Rusia të hënën u bëri thirrje banorëve të Kievit, përfshirë diplomatët dhe anëtarët e stafit të organizatave ndërkombëtare, të largohen nga qyteti "sa më shpejt të jetë e mundur" përpara asaj që e përshkroi si "sulme sistematike" ndaj objekteve të lidhura me industrinë ushtarake të Ukrainës.
Moska tha se sulmet do t'i shënjestrojnë vendet që lidhen me prodhimin e dronëve dhe qendrat e komandës, pas asaj që e quajti një sulm ukrainas në rajonin e Luhanskut të kontrolluar nga Rusia që vrau 21 persona.
Ukraina i hodhi poshtë pretendimet, duke thënë se forcat e saj e synojnë vetëm infrastrukturën ushtarake në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës ka vazhduar që nga viti 2022, duke e bërë të vështirë verifikimin e pavarur të pretendimeve në fushën e betejës.





















