Mucunski: Qeveria është e fokusuar në reformat evropiane
“Presim që procesi i zgjerimit të jetë i qartë, i besueshëm dhe i parashikueshëm", theksoi Mucunski gjatë diskutimit në panelin e konferencës ndërkombëtare.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski mori pjesë në konferencën ndërkombëtare "Budapest Balkans Forum 2026", e cila po mbahet në Budapest të Hungarisë, e organizuar nga Instituti Hungarez për Çështje Ndërkombëtare.
Mucunski mbajti fjalim në debatin hapës të nivelit të lartë me temën "Evropa Qendrore dhe Ballkani Perëndimor në Epokën e Re Gjeopolitike", së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto dhe zëvendëskryeministrin për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane të Malit të Zi, Filip Ivanoviq.
Në diskutim, ministri Mucunski theksoi se në kushte të sigurisë së shtuar dhe sfidave gjeopolitike, qeveritë duhet të përshtaten shpejt dhe të veprojnë së bashku, pasi bashkëpunimi është i vetmi opsion real.
"Vendi mori statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian së bashku me Kroacinë, e cila sot është anëtare e Unionit dhe në vitet e fundit kemi bërë lëshime serioze kombëtare. Shoqëria jonë është proevropiane, Qeveria është e përqendruar në reformat evropiane dhe në pajtueshmërinë e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, por presim që procesi i zgjerimit të jetë i qartë, i besueshëm dhe i parashikueshëm", theksoi Mucunski gjatë diskutimit në panel.
Ai shtoi se vendi është i përkushtuar të jetë partner i parashikueshëm i BE-së, por se e njëjta parashikueshmëri dhe besueshmëri pritet edhe nga shtetet anëtare.
"Detyra jonë është të jemi partner i parashikueshëm i BE-së, por ne presim një parashikueshmëri të tillë edhe nga shtetet anëtare. Ne e dimë që i përkasim Evropës, por presim që kjo parashikueshmëri të jetë plotësisht reciproke", theksoi Mucunski.
Ai theksoi rëndësinë strategjike të Korridoreve 8 dhe 10 si nga perspektiva e sigurisë ashtu edhe nga ajo tregtare.
"Fokusi ynë aktualisht është në dy korridore shumë të rëndësishme evropiane që kryqëzohen pikërisht në vendin tonë, Korridori 8 dhe Korridori 10. Ato janë të rëndësishme si nga një perspektivë politike-sigurie, por edhe nga një perspektivë ekonomike dhe tregtare. Në energji, ne jemi në procesin e ndërtimit të një ndërlidhësi me Greqinë, i cili do të na lejojë qasje në gazin LNG që vjen nga porti i Aleksandropolisit", theksoi ministri.
Mucunski potencoi rëndësinë e marrëdhënieve me Hungarinë, me të cilën vendi ka krijuar një partneritet strategjik.
"Ky partneritet strategjik ka hapur shumë mundësi për bashkëpunim midis dy vendeve. Ka investime të konsiderueshme nga të dyja palët, të cilat ne si qeveri i lehtësojmë, me qëllim zgjerimin e aksesit në treg për kompanitë hungareze që vijnë në vendin tonë, por edhe për kompanitë maqedonase që investojnë ose punojnë në Hungari. Ne e shohim Hungarinë si partnerin tonë strategjik dhe një mbështetës të rëndësishëm të rrugës evropiane të rajonit", tha ministri Mucunski në fjalimin e tij.