| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Qytetarët e Prishtinës kundërshtojnë rritjen e tarifave të energjisë elektrike
Protestuesit u mblodhën të premten para ndërtesës kryesore të Kompanisë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) në Prishtinë duke mbajtur pankarta me mesazhe të ndryshme kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Qytetarët e Prishtinës kundërshtojnë rritjen e tarifave të energjisë elektrike
Qytetarët e Prishtinës kundërshtojnë rritjen e tarifave të energjisë elektrike / AA
9 orë më parë

Në Prishtinë është mbajtur protestë kundër kërkesës së Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) për rritje të tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

Qindra qytetarë u mblodhën të premten para ndërtesës kryesore të Kompanisë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) në Prishtinë duke mbajtur pankarta me mesazhe të ndryshme kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Nuk e durojmë më hajninë”, “Nuk sakrifikojmë për KEDS-in”, “Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, “Stop hajnisë me fatura të rrymës”, “Rryma rritet, populli digjet”, ishin disa nga mesazhet e pankartave që mbanin protestuesit.

Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”.

Demonstrata filloi pranë ndërtesës së KEDS-it dhe përfundoi te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

KESCO i kërkoi Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë rritje prej 21,3 për qind të faturave të energjisë elektrike së fundmi, ndërsa ZRRE-ja pritet që gjatë muajit mars të vendos pro ose kundër kësaj rritjeje.

Zyra e Presidentes së Kosovës ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani do t’i drejtohet Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për ta kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë