| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
EBA-ja dhe Rusia diskutojnë sigurinë në Lindjen e Mesme, theksohet rëndësia e stabilitetit rajonal
Gjatë një bisede telefonike, Sheikh Mohamed bin Zayed, dhe Vlladimir Putin kanë theksuar rëndësinë e forcimit të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
EBA-ja dhe Rusia diskutojnë sigurinë në Lindjen e Mesme, theksohet rëndësia e stabilitetit rajonal
EBA-ja dhe Rusia e diskutojnë sigurinë në Lindjen e Mesme, theksohet rëndësia e stabilitetit rajonal / َAA

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe homologu i tij rus, Vlladimir Putin, kanë diskutuar për bashkëpunimin dypalësh dhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme gjatë një bisede telefonike të martën.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Emirateve, WAM, të dy liderët kanë shqyrtuar aspekte të ndryshme të bashkëpunimit dhe përpjekjet e përbashkëta për forcimin e partneritetit strategjik mes vendeve të tyre, në mënyrë që t'u shërbejë interesave të ndërsjella.

Ata gjithashtu kanë shkëmbyer mendime për disa çështje rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët, veçanërisht për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet e vazhdueshme për trajtimin e tyre.

Të dy liderët kanë theksuar rëndësinë e forcimit të sigurisë dhe stabilitetit rajonal në dobi të vendeve dhe popujve të rajonit.

Biseda vjen në një kohë të tensioneve të vazhdueshme rajonale, të lidhura me konfliktin ShBA-Iran dhe shqetësimet për sigurinë detare dhe furnizimet me energji.

Në një deklaratë të mëvonshme lidhur me bisedën telefonike, Kremlini bëri të ditur se të dy presidentët kanë diskutuar zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, “në sfondin e 55-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Rusisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”.

“Gjatë shkëmbimit të mendimeve për agjendën ndërkombëtare, ata trajtuan marrëveshjet e arritura pas bisedës telefonike mes Vlladimir Putinit dhe presidentit amerikan Donald Trump lidhur me furnizimet me naftë dizel ruse, si dhe perspektivat për zgjidhjen e krizës në rajonin e Gjirit Persik”, thuhet në deklaratë.

Aty shtohet se dy janë pajtuar të mbajnë kontakte të drejtpërdrejta.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë