Forcat e Armatosura të Shqipërisë po vijojnë angazhimin në terren për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në disa zona të vendit, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Sipas një njoftimi të Nufit në rrjetet sociale, në fshatin Drizë-Radostinë të bashkisë Fier janë angazhuar 55 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa dhjetë familje janë evakuuar.
Në Njësinë Administrative Ungrej të bashkisë Lezhë janë angazhuar 80 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Në fshatin Qinam, Zall-Herr, janë angazhuar pesë automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Sipas ministrit, zjarri në këtë zonë konsiderohet i fikur.
Ndërkohë, në Dajt vijon operacioni me 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter të Forcës Ajrore.
Në Mallunxë të Matit janë angazhuar 30 efektivë dhe një automjet zjarrfikës, ndërsa aktualisht nuk paraqitet rrezik për banesat, njoftoi më tej Nufi.
Ministri theksoi se Forcat e Armatosura vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë dhe në mbështetje të komuniteteve në zonat ku nevojitet ndërhyrja.






















