| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Lëvizja Vetëvendosje fton PDK-në dhe LDK-në të propozojnë së bashku tre kandidatë për president
Për shkak të kohës së kufizuar të afateve kushtetuese, LVV-ja ka theksuar se pret përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje.
Lëvizja Vetëvendosje fton PDK-në dhe LDK-në të propozojnë së bashku tre kandidatë për president
Lëvizja Vetëvendosje fton PDK-në dhe LDK-në të propozojnë së bashku tre kandidatë për president / AA

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar nga dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që të dyja të propozojnë së bashku tre kandidatë për presidentë.

LVV-ja përmes një shkrese zyrtare ka sqaruar se emrat e tre të propozuarve për president të vendit duhet të jenë unifikues dhe të mos jenë pjesë e politikës.

“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet presidenti i ri nga Legjislatura e 10-të. Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore dhe jashtë skenës aktuale politike”, thotë LVV-ja.

Më tej, partia më e madhe parlamentare e Legjislaturës së 10-të të Kuvendit tha se për presidentin e ri do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe me këtë rast “paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”.

Për shkak të kohës së kufizuar të afateve kushtetuese, LVV-ja ka theksuar se pret përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje.

“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe të angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Kosovës”, thuhet në shkresë.

LVV-ja tha se deri tek ky propozim i ri erdhën "pas propozimeve të shumta dhe gjeneroze nga ana e kësaj partie për të cilat ka marrë vetëm refuzime".

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit skadon më 28 prill, por deri tani nuk ka asnjë sinjal për një marrëveshje të mundshme.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi më 4 prill dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës ushtruese e detyrës së presidentes tani është kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Më 5 mars, LVV-ja propozoi dy kandidatë për president, ministrin Konjufca dhe deputeten Kollçaku, por asnjëri nga ta nuk mori votat e mjaftueshme për këtë pozitë.

Një ditë më vonë, ish-presidentja Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, por Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë vendim duke e cilësuar atë pa efekt juridik dhe duke i dhënë Kuvendit afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri.