Kosovë, nis projekti për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë
Kryeministri Kurti para të pranishmëve tha se xhudoja është suksesi më i madh që Kosova ka ndërtuar si shtet në sport.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me ministrin e Sportit, Blerim Gashani, anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka, dhe trajnerin e xhudos, Driton Kuka, vunë gurthemelin e projektit në vlerë më shumë se 5,7 milionë euro për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.
Kryeministri Kurti para të pranishmëve tha se xhudoja është suksesi më i madh që Kosova ka ndërtuar si shtet në sport. "Sot, këtu në Pejë, në lagjen e kampionëve të botës, nuk po vendosim vetëm gurthemel. Sot, po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës", theksoi kryeministri Kurti.
Ai tha se një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në Paris 2024 është ndërtuar në këtë qendër, që ishte përuruar në shtator të vitit 2021.
"Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit 'Kosova, Shtet i Xhudos', sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt përfshin: palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare dhe objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant", tha tutje kryeministri Kurti.
Ai bëri të ditur se investimet në kuadër të programit "Kosova, Shtet i Xhudos", përfshirë këtë projekt në vlerë më shumë se 5,7 milionë euro, të cilat janë përgjigje ndaj sukseseve dhe rezultateve që xhudoja i ka sjellë Kosovës.
Në palestrën e re, në kuadër të Qendrës Nacionale të Xhudos planifikohet të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030.