| Albanian
BOTA
7 minuta leximi
Politikanët libianë mbështesin miratimin e memorandumit për zonat e juridiksionit detar me Türkiyen
Miratimi i memorandumit në fjalë nga Dhoma e Përfaqësuesve, organi legjislativ i Libisë, ka bërë të mundur kapërcimin e pengesave ligjore të ngritura më parë dhe përfundimin e procedurave ligjore në aspektin kushtetues.
Politikanët libianë mbështesin miratimin e memorandumit për zonat e juridiksionit detar me Türkiyen
Politikanët libianë mbështesin miratimin e memorandumit për zonat e juridiksionit detar me Türkiyen/ AA

Politikanët libianë deklaruan se mbështesin plotësisht miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve të Libisë të Memorandumit të Mirëkuptimit për përcaktimin e zonave të juridiksionit detar, të nënshkruar mes Türkiyes dhe Libisë në vitin 2019.

Miratimi i memorandumit në fjalë nga Dhoma e Përfaqësuesve, organi legjislativ i Libisë, ka bërë të mundur kapërcimin e pengesave ligjore të ngritura më parë dhe përfundimin e procedurave ligjore në aspektin kushtetues.

Politikanët libianë theksuan se, pas miratimit nga Dhoma, marrëveshja nuk është më vetëm një marrëveshje e miratuar nga qeveria në Tripoli, por është bërë pjesë e politikës zyrtare të Libisë.

Deputetja Rabia Aburas, në një deklaratë për Anadolu, tha se miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve i memorandumit për përcaktimin e zonave të juridiksionit detar, të nënshkruar mes Türkiyes dhe Libisë, ka rëndësi në dy aspekte, si për Libinë, ashtu edhe në nivel rajonal.

Duke bërë të ditur se Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi memorandumin me votë unanime, Aburas tha: "Miratimi i memorandumit nga Dhoma e Përfaqësuesve përcjell tashmë mesazhin se kjo çështje nuk kufizohet vetëm te një qeveri në Tripoli, por është bërë pjesë e politikës zyrtare të Libisë".

Aburas theksoi se miratimi i memorandumit nga Dhoma e Përfaqësuesve rrit fuqinë negociuese të Libisë në Mesdheun Lindor dhe i ofron Türkiyes një partneritet me Libinë në fushën e energjisë në një shkallë më të gjerë se më parë.

- Hapet rruga për mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e hidrokarbureve dhe energjisë

Duke thënë se një nga përfitimet më të rëndësishme të miratimit nga Dhoma e Përfaqësuesve është krijimi i një kuadri më të gjerë politik dhe ligjor për Libinë, që Türkiye të kryejë kërkime dhe studime sizmike në zonat detare me potencial hidrokarburesh, Aburas vijoi:

"Korporata Kombëtare e Naftës e Libisë (NOC) dhe Korporata Turke e Naftës (TPAO) nënshkruan në qershor të vitit 2025 një memorandum mirëkuptimi për kryerjen e studimeve gjeofizike dhe kërkimeve sizmike dy-dimensionale në katër zona detare, me një gjatësi të përgjithshme prej rreth 10 mijë kilometrash. Nëse kjo çështje menaxhohet siç duhet, Libia mund të përfitojë nga rritja e investimeve, zhvillimi i sektorit të shërbimeve të naftës, krijimi i vendeve të punës, diversifikimi i burimeve të të ardhurave dhe ndoshta edhe forcimi i pozitës së saj si furnizuese e gazit për tregjet evropiane".

Aburas bëri të ditur se memorandumi i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve nuk synon Greqinë apo ndonjë vend tjetër, por i siguron Libisë një pozicion më të fortë negociues dhe ofron garanci reale për miratimin e koordinatave dhe hartave të sakta, të përcaktuara nga komitetet teknike të krijuara nga Libia dhe Türkiye.

Miratimi nga Dhoma do të riformësojë ekuilibrat në Mesdheun Lindor

Duke thënë se miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve e ka forcuar ndjeshëm pozitën politike të Libisë dhe ka eliminuar plotësisht pretendimin se "Dhoma e Përfaqësuesve nuk e ka miratuar marrëveshjen", Aburas tërhoqi vëmendjen se ky miratim mund të riformësojë ekuilibrat në Mesdheun Lindor.

"Miratimi nga Dhoma ka të ngjarë të ketë një ndikim të dukshëm në riformësimin e ekuilibrave në Mesdheun Lindor. Ai forcon afrimin mes Libisë dhe Türkiyes dhe i siguron Ankarasë një shtrirje më të gjerë gjeografike dhe politike në Mesdheun Lindor, përballë rregullimeve rajonale që përfshijnë, në shkallë të ndryshme, Greqinë, Qipron, Egjiptin dhe Izraelin. Gjithashtu, ai mund ta shtyjë Athinën të intensifikojë kontaktet me Libinë dhe Bashkimin Evropian, ndërsa mund ta nxisë Egjiptin të rivlerësojë alternativat e tij për të mbrojtur interesat në Mesdhe dhe ato që lidhen me sigurinë", u shpreh ajo.

Duke thënë se marrëveshja detare mes Libisë dhe Türkiyes i ofron Libisë një levë strategjike, deputetja libiane i përfundoi fjalët e saj me këto vlerësime:

"Marrëveshja i ofron Libisë një levë të rëndësishme strategjike, por vlera e saj reale do të përcaktohet nga aftësia e shtetit libian për të bashkuar institucionet e tij, për të menaxhuar burimet në mënyrë transparente dhe për ta shndërruar marrëveshjen nga një deklaratë politike në rregullime ekonomike dhe strategjike të zbatueshme dhe që gëzojnë pranimin më të gjerë të mundshëm".

Fathi al-Shibli, kryetar i Unionit të Partive Politike të Libisë dhe kryetar i përgjithshëm i Partisë Zëri i Popullit, një nga partitë kryesore politike të vendit, tha gjithashtu se udhëheqja e re e Dhomës së Përfaqësuesve e konsideron miratimin e memorandumit të nënshkruar mes dy vendeve në interes të Libisë.

"Sot nuk mund ta harrojmë rolin e Türkiyes (në Libi). Ajo na ndihmoi shumë gjatë procesit të Revolucionit të Shkurtit, veçanërisht qëndrimi i Türkiye gjatë sulmeve ndaj Tripolit në vitin 2019 luajti një rol pozitiv", theksoi ai.

- Libia ka nevojë për përvojën e Türkiyes në kërkimet sizmike

Duke theksuar se vendi i tij ka nevojë për përvojën e Türkiyes në kërkimet sizmike, Shibli tha:

"Nga pikëpamja ekonomike, mendojmë se marrëveshja me Türkiyen do të jetë e dobishme për Libinë. Veçanërisht, ndërsa Libia sot nuk ka kapacitetet teknike dhe logjistike për të kryer shpime për nxjerrjen e naftës dhe gazit në thellësi të detit, ne kemi nevojë t'i zhvillojmë dhe t'i rrisim burimet tona. Prandaj, miratimin nga parlamenti e vlerësojmë si një hap të mirë në këtë drejtim".

Duke shprehur bindjen se miratimi i memorandumit nga Dhoma e Përfaqësuesve do të sjellë përfitime për të dyja vendet, Shibli tha: "Miliarda metra kub gaz natyror apo miliarda fuçi naftë në shtratin e detit do të sillnin përfitime të mëdha njëkohësisht për Türkiyen dhe Libinë, falë kësaj marrëveshjeje për zonat e juridiksionit detar".

Duke theksuar se zhvillimi i marrëdhënieve mes Türkiyes dhe Libisë nuk ka të bëjë me vende të tjera, Shibli tha: "Türkiye është një popull mysliman dhe ne jemi gjithashtu myslimanë. Prandaj, na intereson rritja e bashkëpunimit mes popullit turk dhe popullit libian. Sa u përket grekëve, kjo është çështja e tyre. Nëse marrëveshja dokumentohet edhe në kuadër të OKB-së dhe merr karakter ndërkombëtar, gjykatat ndërkombëtare janë të hapura nëse Greqia dëshiron ta kundërshtojë atë (duke iu drejtuar gjykatave)".

- Miratimi i marrëveshjes përbën një investim të fuqishëm mes dy vendeve

Sami es-Said, kryetar i përgjithshëm i Partisë së Demokratëve të Pavarur të Libisë, tha se memorandumi i mirëkuptimit në fjalë kishte mbetur pezull në Dhomën e Përfaqësuesve që nga viti 2019 dhe se miratimi i tij sot përbën një hap pozitiv për udhëheqjen e re të Dhomës.

Duke shprehur dëshirën që miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve të jetë në të mirë të Türkiyes dhe Libisë, ai tha: "Miratimi i kësaj marrëveshjeje do t'i sjellë përfitime të mëdha ekonomike Libisë dhe Türkiyes, sepse në fund të fundit bëhet fjalë për një investim në fushën e naftës dhe gazit natyror".

Duke theksuar se Greqia dhe Egjipti mund të përfshihen gjithashtu në përcaktimin e zonave të juridiksionit detar, duke mundësuar përfitime të përbashkëta për të gjitha këto vende, Said vijoi:

"Libia sot është një shtet sovran dhe kufijtë e saj detarë dhe ujërat territoriale janë të mbrojtura; askush nuk është përpjekur të cenojë ujërat territoriale të Libisë. Prandaj, kjo marrëveshje nuk është thjesht një mekanizëm mbrojtjeje, por një investim mes dy vendeve dhe një mënyrë për të dokumentuar e forcuar marrëdhëniet mes Libisë dhe Türkiyes. Greqia mund të ketë bërë marrëveshje me vende të tjera përgjatë kësaj rruge, ose nuk dëshiron që Libia dhe Türkiye të kenë një projekt kaq strategjik dhe madhor, që lidh kufijtë e tyre, sepse dëshiron të veprojë në kundërshtim me këtë rrugë".


Eksploro
Belgjika pranon ankesa lidhur me dhunën e pretenduar policore gjatë protestave të të rinjve
Franca vlerëson se dëmet nga dhuna gjatë protestave të fundjavës arrijnë deri në qindra miliona euro
Trageti përfshihet nga flakët pranë ishullit Java të Indonezisë, evakuohen 460 persona
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite intercepton katër dronë që synonin mbretërinë
Rubio: I dërguari amerikan do të diskutojë me Rusinë propozimet për sigurinë e Ukrainës
Kancelari Merz i vlerëson kontributet e komunitetit turk në Gjermani
Vota që mund ta rivizatojë Kanadanë: Gjithçka që duhet të dini rreth referendumit të Albertës
OKB-ja: Gati 19,2 milionë afganë parashikohet të përballen me uri akute këtë dimër
Qeveria italiane pritet të miratojë dislokimin e 500 trupave policore në Milano
Dëgjohen shpërthime në kryeqytetin saudit Riad pas një paralajmërimi për sigurinë
Aeroporti i Istanbulit shpallet "Më i Miri në Botë" nga revista prestigjioze Conde Nast Traveller
Zv/presidenti amerikan: Nuk e mbështes Netanyahun, nuk përfshihem në zgjedhjet izraelite
Franca do të zbatojë orë policore gjatë natës në katër komuna veriore pas dhunës në protesta
Irani: Gjatë luftës me ShBA-në dhe Izraelin u shkatërruan 20 deri në 30 avionë
Gjermania “dënon” sulmet e kolonëve izraelitë ndaj diplomatëve evropianë në Bregun Perëndimor
Elon Musk premton aksione të SpaceX për çdo fëmijë amerikan në vitin 2027
Gjermania apelon shtetasit e saj të tregojnë kujdes dhe të shmangin demonstratat në Francë
Agjencia e OKB-së për ushqimin shkurton ndihmën për Gazën për shkak të mungesës së fondeve
Alija Izetbegoviq, një jetë që shtrihet nga burgu deri në presidencë
Kremlini hedh poshtë akuzat për përfshirjen e Rusisë në trazirat në Evropë