Në sheshin përpara disa institucioneve të Sllovenisë në Lubjanë, të mërkurën u mbajt një protestë me rastin e vizitës së ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, dhe hapjes së ambasadës izraelite në rrugën Dimiqeva.
Demonstruesit e mbledhur kërkuan mbylljen e ambasadës izraelite, ndërprerjen e bashkëpunimit ekonomik të Sllovenisë me Izraelin dhe një Palestinë të lirë.
Gjatë protestës u dëgjuan slogane si: „Izraeli ka frikë nga vullneti i popullit tonë“, „Kundër bashkëpunimit ekonomik me Izraelin“ dhe „Ndaleni gjenocidin“, ndërsa disa pjesëmarrës shprehën kundërshtimin e tyre ndaj importit të pajisjeve mjekësore izraelite në Slloveni, duke theksuar se fëmijët palestinezë po humbin jetën në Gaza.
Protesta me sloganin „Jo ambasadës së gjenocidit“ u mbajt edhe me rastin e hapjes së ambasadës izraelite në rrugën Dimiqeva. Thirrje të ngjashme u dëgjuan edhe më herët gjatë takimit të ministrit slloven të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Tone Kajzer, me Sa’arin, përpara Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë.
Organizatorët e protestës propozuan gjithashtu që rruga Dimiqeva, ku ndodhet ambasada izraelite, të riemërtohet si “Rruga e Palestinës”.
Nisma i është dërguar komisionit kompetent të Qytetit të Lubjanës, ndërsa organizatorët deklaruan se riemërtimi do të ishte një shenjë solidariteti me popullin palestinez.
Si argument shtesë, ata përmendën praktikën ndërkombëtare të riemërtimit të rrugëve ku ndodhen ambasadat e shteteve për të cilat pretendohet se shkelin të drejtat e njeriut, përfshirë Afrikën e Jugut, Arabinë Saudite, ShBA-në dhe Rusinë.
Komisioni kompetent i Qytetit të Lubjanës pritet të vendosë për këtë propozim në mbledhjen e rregullt në tetor të vitit 2026, bëri të ditur instituti „Danes je nov dan“.
Protesta u mbajt në kohën e vizitës së ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, në Slloveni dhe hapjes së ambasadës së Izraelit, të cilat zyrtarët sllovenë dhe izraelitë i vlerësuan si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe.
Organizatorët e protestës iu referuan gjithashtu procedurave që zhvillohen para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare lidhur me veprimet e Izraelit në territoret palestineze.
Ata paraqitën gjithashtu të dhëna për numrin e madh të të vrarëve dhe të plagosurve në Gaza, veçanërisht në mesin e fëmijëve, dhe akuzuan Izraelin për vazhdimin e sulmeve edhe gjatë periudhës së armëpushimit.
Akuzë kushtetuese kundër Janshës
Partitë Lëvizja për Liri dhe Levica paraqitën të mërkurën në parlamentin slloven një propozim për ngritjen e një akuze kushtetuese kundër kryeministrit Janez Jansha, kryesisht për shkak të qëndrimit të qeverisë së tij ndaj Izraelit.
Kryetari i Lëvizjes për Liri, Robert Golob, deklaroi se qeveria e Janshës po zbaton një politikë të jashtme që është ekskluzivisht në interes të Izraelit, duke bërë që Sllovenia të mos ndjekë më një politikë të jashtme sovrane.
“Kryeministri, me këtë, ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Sllovenisë, Ligjin për Punët e Jashtme, Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe një sërë rezolutash ndërkombëtare të OKB-së“, tha Golob, duke shpjeguar se qëllimi i akuzës kushtetuese është që Gjykata Kushtetuese ta shkarkojë Janshën nga detyra e kryeministrit.


















