Britania dhe Gjermania do të kryejnë patrullime të përbashkëta për të kundërshtuar nëndetëset ruse
Forcat Ajrore Mbretërore britanike dhe aviacioni i Marinës Gjermane do të operojnë së bashku nga baza RAF Lossiemouth në Skoci për t'i mbrojtur krahët lindorë dhe veriorë të NATO-s.
Britania dhe Gjermania po e thellojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes me patrullime të reja të përbashkëta që synojnë nëndetëset ruse, si dhe me bashkëpunim të zgjeruar në fushat e sigurisë kibernetike dhe teknologjisë së mbrojtjes.
Të enjten, Sekretari i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, priti homologun e tij gjerman, Boris Pistorius, në Lossiemouth të Skocisë.
“Në muajt në vijim, një nga avionët P-8A të Marinës Gjermane do të vizitojë për herë të parë bazën Lossiemouth, përpara patrullimeve të përbashkëta me Forcat Ajrore Mbretërore në Atlantikun e Veriut për të ndihmuar në mbrojtjen kundër agresionit rus”, thuhej në një deklaratë të qeverisë britanike.
Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania po “forcojnë angazhimin e tyre ndaj NATO-s, me bashkëpunim më të ngushtë për t'i mbrojtur rrjetet logjistike dhe transportuese të aleancës nga kërcënimet kibernetike”, vijon deklarata.
Partneriteti përfshin gjithashtu bashkëpunim të thelluar në fushën kibernetike dhe ushtarake, duke përfshirë krijimin e një rrjeti të ri cloud të sigurt për ndarjen e inteligjencës dhe mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike.
Kompani gjermane janë zotuar të investojnë 800 milionë euro në industrinë britanike të mbrojtjes, një hap që pritet të krijojë 600 vende pune dhe të rrisë kapacitetet e prodhimit.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha në një deklaratë: “Një vit pas Marrëveshjes Trinity House, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania po punojnë më ngushtë se kurrë për të mbajtur të sigurta dy vendet tona dhe Evropën.
Së bashku po forcojmë NATO-n, po e rrisim mbrojtjen tonë kibernetike dhe po sigurojmë që forcat tona të armatosura të mund të veprojnë krah për krah, nga patrullimi në qiellin e Skocisë deri te gjurmimi i nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriut”.
E nënshkruar në vitin 2024, Marrëveshja Trinity House përcaktoi një vizion për një partneritet më të thelluar dhe të integruar të mbrojtjes ndërmjet Britanisë dhe Gjermanisë.
Projektet e përbashkëta përfshijnë zhvillimin e një armë të re goditëse me precizion të thellë, me rreze mbi 2.000 kilometra, si dhe marrëveshje për zgjerimin e pajisjeve ndërtimore për operacionet tokësore.