Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka deklaruar se Ballkani gjithmonë ka qenë historikisht, gjeografikisht dhe në aspektin kulturor pjesë e Evropës.
Siljanovska-Davkova e cila mori pjesë në një panel të titulluar “Hartimi i së nesërmes, menaxhimi i pasigurive" në Forumin e Diplomacisë në Antalya, theksoi rëndësinë e faktit që Ballkani është pjesë e BE-së.
"Duke analizuar historinë, Ballkani ka qenë gjithmonë një lloj ‘lakmusi’ dhe gjithmonë shtetet e fuqishme dhe të mëdha kanë testuar politikat e tyre në Ballkan. Ajo që kemi dhe për të cilën nuk jam krenare, është termi i tmerrshëm ‘ballkanizim’, që nënkupton fragmentim", tha Siljanovska-Davkova.
“Prandaj po them se Ballkani ka qenë gjithmonë historikisht, gjeografikisht dhe në aspektin kulturor pjesë e Evropës. Unë ëndërroj për Evropën si BE. Dhe nuk mund ta pranoj dallimin midis Lindjes dhe Perëndimit. Është një dallim artificial. Prandaj, çështja e zgjerimit të BE-së nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje sigurie. Çdo ditë dëgjojmë se duhet të jemi të qëndrueshëm ndaj kërcënimeve nga aktorë të tretë. Po, por qëndrueshmëria garantohet vetëm nëse jemi brenda", shtoi ajo.
Ajo theksoi se nuk mjafton të thuhet se BE-ja është “një histori e papërfunduar pa Ballkanin Perëndimor” apo “një simfoni e papërfunduar”. Presidentja maqedonase tha se në botë po ndodh një krizë demokracie, duke theksuar se “Nuk e di sa herë kam dëgjuar ‘kurrë më luftë’, por kjo përsëritet vazhdimisht”.
Siljanovska-Davkova gjithashtu shprehu frikën për rritjen e autoritarizmit, valë të reja migrimi, kërcënime hibride, dezinformim dhe sulme kibernetike. Ajo tha se burimet po drejtohen drejt armatimeve dhe se disa të dhëna tregojnë se 2.7 trilionë dollarë në vitin 2024 janë shpenzuar për qëllime ushtarake dhe armë.
“Ju keni përmendur vendimmarrësit dhe liderët, dhe ndoshta është mirë të ripërsëritet ajo që njëherë ka thënë presidenti i Turqisë. Në të vërtetë, po, pesë shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit janë të rëndësishme, por megjithatë edhe 15 janë të rëndësishme dhe ne duhet gjithashtu të rishikojmë OKB-në”, tha Siljanovska-Davkova.
Duke kujtuar se OKB-ja u themeluan në vitin 1945, ajo tha se "ishte një kohë krejtësisht e ndryshme" dhe "tani sfidat janë krejtësisht të ndryshme".
Në fund, ajo theksoi rëndësinë e barazisë gjinore dhe tha se është koha që një grua të zgjidhet Sekretare e Përgjithshme: “Ne gratë, pas 80 vitesh rezerva si dikush që kujdeset për jetën më shumë se burrat, duhet të tregojmë se kjo nuk është vetëm një botë e burrave”.






















