Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), zhvilloi takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se gjatë takimit u diskutua situata politike në rajon si dhe çështjet e sigurisë, në një kontekst gjithnjë e më të ndërlidhur të sfidave ndërkombëtare, ku me këtë rast Kurti theksoi rëndësinë e linjëzimit me BE-në në adresimin e këtyre sfidave dhe në avancimin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Kryeministri në detyrë Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke nënvizuar progresin e Kosovës dhe nevojën për trajtim të drejtë, të bazuar në meritë.
Po ashtu, u bisedua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, i cili u vlerësua si një momentum i ri dhe pozitiv për rrugën përpara.
Gjatë takimit u diskutua edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku Kurti ngriti shqetësimet lidhur me pasivizimin e adresave dhe pamundësimin e mbështetjes financiare për Luginën nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe shërbeu për shkëmbim të hapur të pikëpamjeve mbi temat me interes të përbashkët, duke riafirmuar rëndësinë e vazhdimit të komunikimit të afërt dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore të Kosovës dhe BE-së.





















