Ukraina i drejtohet mekanizmit të reagimit emergjent të NATO-s për ndihmë

Kërkesa në fjalë ka për qëllim ofrimin e ndihmës për ta rritur kapacitetin e mbështetjes humanitare, duke përfshirë sigurimin e ujit, ushqimit dhe karburantit.

Ukraina i drejtohet mekanizmit të reagimit emergjent të NATO-s për ndihmë / Reuters

Ukraina ka kërkuar mbështetje nga Qendra Euro-Atlantike e NATO-s për Koordinimin e Reagimit ndaj Fatkeqësive (EADRCC).

NATO-ja bëri një deklaratë me shkrim lidhur me çështjen ku thuhet se "Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare përmes EADRCC-it, mekanizmës së NATO-s për reagim ndaj emergjencave".

Në deklaratë tërhiqet vëmendja se sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës kanë ndikuar në mënyrë serioze popullsinë civile të vendit dhe se sulmet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën e banesave, ujit, energjisë elektrike, ngrohjes dhe asaj publike.

Kërkesa në fjalë ka për qëllim ofrimin e ndihmës për të rritur kapacitetin e mbështetjes humanitare, duke përfshirë sigurimin e ujit, ushqimit dhe karburantit.

Artikujt e ndihmës të kërkuar nga Ukraina përmes EADRCC-it përfshijnë kamionë me pajisje për ruajtjen e ushqimit, cisterna uji dhe kamionë karburanti.