Kurti pret në takim komandantin e KFOR-it, diskutojnë mbi sigurinë në kohë krizash globale

Kryeministri i Kosovës e falënderoi komandantin Ulutas për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në udhëheqjen e KFOR-it dhe për bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës.

By
Kurti pret në takim komandantin e KFOR-it, diskutojnë mbi sigurinë në kohë krizash globale / AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ozkan Ulutas.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, komandanti Ulutas e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës dhe diskutuan për bashkëpunim të ngushtë mes KFOR-it dhe institucioneve të  Kosovës.

Në takim u diskutua për situatën e sigurisë, në një kohë të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha në botë që mund të paraqesin sfida për sigurinë, nga ku kryeministri Kurti vlerësoi komunikimin e mirë dhe të vazhdueshëm.

Kryeministri Kurti e falënderoi komandantin Ulutas për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në udhëheqjen e KFOR-it dhe për bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët punon në koordinim të ngushtë.