Glauk Konjufca, i propozuari i dytë për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje
Emri i tij propozohet pas dështimit që kreu i partisë, Albin Kurti, të emërohej kryeministër më 26 tetor.
Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si mandatar të dytë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Konjufca u propozua të martën në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
Emri i tij propozohet pas dështimit që kreu i partisë, Albin Kurti, të emërohej kryeministër më 26 tetor.
I propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për mandatar për kryeministër, ka thënë se e pranon këtë propozim me qëllim që të shmangen dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme dhe që të votohet Buxheti i vitit 2026 dhe urgjencat e tjera parlamentare.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë propozimit të Konjufcës si mandatar i dytë nga kjo parti, tha se ai vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e fundit Konjufca.
"Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje të tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin", ka thënë ai.
Kurti tha se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend dhe se pa buxhet të miratuar nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet.
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo t'i shpallë zgjedhjet e reja parlamentare.