Katër anëtarë të ekuipazhit amerikan vdesin pas rrëzimit të avionit furnizues në Irak
CENTCOM-i thotë se katër nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit janë konfirmuar të vdekur, ndërsa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë, duke shtuar se incidenti është nën hetim.
Ushtria amerikane njoftoi të premten se katër nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit në bordin e një avioni furnizues me karburant të Forcave Ajrore të ShBA-së, i cili u rrëzua në Irakun Perëndimor, janë konfirmuar të vdekur.
Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM), e cila mbikëqyr operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme dhe në pjesë të Azisë, tha në një deklaratë se avioni “KC-135” u rrëzua të enjten rreth orës 14:00 sipas kohës lindore të ShBA-së (18:00 GMT).
“Katër nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit në bordin e avionit janë konfirmuar të vdekur, ndërsa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë”, thuhet në deklaratë.
“Identitetet e ushtarakëve nuk po bëhen publike derisa të kalojnë të paktën 24 orë pas njoftimit të familjarëve të tyre”, shtohet në deklaratë.
Ushtria tha se rrethanat e incidentit janë duke u hetuar. Megjithatë deklarata theksoi se rrëzimi nuk është shkaktuar nga zjarr armik apo nga zjarr miqësor.
Më herët gjatë ditës, televizioni shtetëror iranian citoi një zëdhënës të shtabit ushtarak “Khatam al-Anbiya”, i lidhur me korpusin elitar të Gardës Revolucionare të Iranit, raportoi se avioni ishte goditur nga raketa të lëshuara nga “fraksione të rezistencës”, duke shkaktuar rrëzimin e tij.
Zëdhënësi tha se avioni i përkiste ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se të gjithë anëtarët e ekuipazhit kishin vdekur, sipas raportit.
CENTCOM-i njoftoi më herët se dy avionë ishin përfshirë në incident, me një avion furnizues me karburant që u rrëzua në Irakun Perëndimor, ndërsa një avion cisternë i dytë u ul në mënyrë të sigurt.