Qeveria e Holandës tha të enjten se "i kupton" sulmet e fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit, por nuk i mbështet ato, një qëndrim që zbuloi ndarje mes partive gjatë një debati parlamentar.
Kryeministri Rob Jetten tha se qeveria e kupton arsyetimin pas sulmeve, por i konsideron ato jashtë kornizës së së drejtës ndërkombëtare, sipas transmetuesit NOS.
"Të dyja këto të vërteta mund të bashkëjetojnë", tha Jetten duke bërë thirrje për shuarje të tensioneve dhe duke theksuar nevojën për të ndalur programin bërthamor të Iranit.
Udhëheqësit e partive të koalicionit qeverisës ofruan qëndrime të ndryshme. Kreu parlamentar i D66-ës, Jan Paternotte tha se e kupton dëshirën për ta larguar atë që e quajti "një regjim vrasës", por i kritikoi sulmet për mungesë të një plani të qartë.
Ruben Brekelmans nga Partia Popullore për Liri dhe Demokraci tha se partia e tij "qëndron në anën e ShBA-së dhe Izraelit" ndërsa lideri i Apelit Kristian Demokrat, Henri Bontenbal, paralajmëroi se jo çdo hap ushtarak kundër Iranit është "i mençur, i qëndrueshëm apo legjitim".
Partitë e majta, të udhëhequra nga lideri i GroenLinks‑PvdA, Jesse Klaver i bënë thirrje Holandës të distancohet nga sulmet, duke paralajmëruar për një përshkallëzim të ngjashëm me pushtimin e Irakut në vitin 2003.
Partitë e djathta, përfshirë Partinë për Liri, i mbështetën sulmet, ndërsa lideri i saj Geert Wilders i quajti sulmet ndaj infrastrukturës ushtarake të Iranit "akt heroik".
Tensionet rajonale u rritën pasi Izraeli dhe ShBA-ja nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit më 28 shkurt, i cili deri më tani ka shkaktuar rreth 1.300 të vdekur dhe më shumë se 10 mijë të plagosur, sipas autoriteteve iraniane.
Teherani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që synuan Izraelin, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.

















