Aktivistët e ndaluar pas ndërhyrjes izraelite në Mesdhe ndaj Flotiljes Globale Sumud, që ishte nisur drejt Gazës, kanë mbërritur në Türkiye.
Një avion i Turkish Airlines me 59 aktivistë nga vende të ndryshme, përfshirë 18 shtetas turq, u ul sonte në Aeroportin e Istanbulit pasi ishte nisur nga ishulli grek i Kretës.
Fluturimi TK6934 mbërriti në orën 21:45 me kohën lokale, ku pasagjerët u pritën nga familjarë dhe zyrtarë në terminalin VIP të aeroportit.
Pas pritjes, aktivistët pritet t’u nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Istanbuli si pjesë e një hetimi të nisur nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Istanbulit.
Sipas burimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Türkiyes, dy shtetas turq që nuk mundën të hipnin në fluturim për shkak të kontrolleve mjekësore pritet të kthehen në Türkiye gjatë ditës së nesërme.
Në fluturim që mbërriti sonte ndodheshin 59 aktivistë, përfshirë 18 shtetas turq, si dhe qytetarë nga ShBA-ja (4), Argjentina (5), Australia (2), Bahrejni (1), Brazili (2), Mbretëria e Bashkuar (6), Holanda (1), Spanja (3), Italia (2), Malajzia (10), Meksika (1), Pakistani (1), Kili (1) dhe Zelanda e Re (2).
Flotilja Globale Sumud u sulmua të enjten pranë ishullit grek të Kretës, rreth 600 milje detare larg destinacionit të saj, enklavës së Gazës të shkatërruar nga bllokada.
Anijet e para të flotiljes, që transportonin ndihma humanitare, u nisën nga Barcelona më 12 prill, ndërsa flota kryesore u nis nga ishulli italian i Sicilisë më 26 prill, me synimin për ta sfiduar bllokadën shumëvjeçare të Izraelit ndaj Gazës.
Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007, duke i lënë 2,4 milionë banorët e tij të përballen me mungesa të rënda ushqimi dhe furnizimesh thelbësore.
Ushtria izraelite nisi një ofensivë ndaj Gazës në tetor të vitit 2023, duke vrarë më shumë se 72.000 njerëz, duke plagosur mbi 172.000 të tjerë dhe duke shkaktuar shkatërrime të gjera në të gjithë enklavën.




















