Një gjykatë kineze ka dënuar me vdekje, me një periudhë prove prej dy vjetësh, ish-zyrtarin e Komisionit Rregullator të Letrave me Vlerë të Kinës (CSRC), Wang Huiminin, për ryshfet.
Gjykata e Mesme Popullore në Chengdu, në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore, konstatoi se Wang kishte abuzuar me pozitat e tij në CSRC dhe në administratën e Rajonit Autonom Ujgur të Xinjiangut gjatë periudhës 1998-2025, duke pranuar para të gatshme dhe prona me vlerë prej 436 milionë juanësh (65,4 milionë dollarësh), raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.
Wangut iu hoqën përgjithmonë të drejtat politike ndërsa gjykata urdhëroi konfiskimin e pasurive të tij personale.
Gjykata tha se ai kishte pranuar fajësinë, kishte zbuluar shkelje për të cilat hetuesit nuk kishin pasur më parë dijeni dhe kishte shprehur pendim. Disa nga veprat kishin mbetur në fazën e tentativës dhe nuk ishin përfunduar, ndërsa ai kishte kthyer një pjesë të pasurive të përfituara përmes ryshfetit.
Këta faktorë u përmendën si arsye për pezullimin e ekzekutimit të dënimit për një periudhë dyvjeçare. Sipas ligjit kinez, dënimi i tij do të zëvendësohet me burgim të përjetshëm nëse gjatë kësaj periudhe nuk kryen vepra të tjera penale.
Wang ishte drejtues i një ekipi për inspektimin e disiplinës dhe mbikëqyrjen, të dërguar pranë CSRC-së nga Komisioni Qendror për Inspektimin e Disiplinës i Partisë Komuniste të Kinës dhe Komisioni Kombëtar i Mbikëqyrjes, agjencia më e lartë e vendit për luftën kundër korrupsionit.






















