| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Türkiye dënon sulmet vdekjeprurëse ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban
Ministria e Punëve të Jashtme u shprehu ngushëllime qeverisë dhe popullit të Indonezisë për vrasjen e tre anëtarëve të personelit të OKB-së që shërbenin nën misionin UNIFIL.
Türkiye dënon sulmet vdekjeprurëse ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban
Türkiye dënon sulmet vdekjeprurëse ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban / AA
12 orë më parë

Türkiye dënoi të martën sulmet në jug të Libanit, të cilat u morën jetën tre pjesëtarëve indonezianë të Forcës së Përkohshme Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL), si dhe lanë të plagosur shumë të tjerë.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme u shprehu ngushëllime qeverisë dhe popullit të Indonezisë për vrasjen e tre anëtarëve të personelit të OKB-së që shërbenin nën misionin UNIFIL.

“Sulmet kundër institucioneve të OKB-së dhe personelit paqeruajtës përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”, tha Ministria duke theksuar se autorët e këtyre sulmeve duhet të nxirren përpara drejtësisë.

Gjithashtu, paralajmëroi se pushtimi i Libanit nga Izraeli po shkakton përhapjen e luftës në rajon dhe në thellimin e mëtejshëm të paqëndrueshmërisë. Duke përsëritur thirrjen e saj drejtuar komunitetit ndërkombëtar, Türkiye kërkoi t'u jepet fund ekspansionizmit, agresionit dhe pushtimit nga Izraeli.

Izraeli ka goditur Libanin me sulme ajrore dhe ka nisur ofensivë tokësore në jug të Libanit që nga fillimi i marsit, në përgjigje të një sulmi ndërkufitar nga Hezbollahu. Autoritetet libaneze kanë njoftuar se të paktën 1.247 persona janë vrarë dhe 3.690 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite.

Përshkallëzimi vjen në mes të një ofensive të përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit, e cila ka vrarë më shumë se 1.340 njerëz që nga 28 shkurti. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjuar Izraelin dhe bazat amerikane në vendet e Gjirit.