Ushtria amerikane i mohoi të enjten raportimet e mediave iraniane se një sulm me raketa kishte shkatërruar disa avionë amerikanë, përfshirë avionë luftarakë F-35 të padukshëm për radarët.
“Asnjë avion amerikan nuk është shkatërruar ose dëmtuar nga sulmet e fundit të dështuara iraniane”, tha Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM), duke i kundërshtuar pretendimet e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Teherani pretendoi se kishte shënjestruar Bazën Ajrore Al-Azraq në Jordani, duke shkatërruar tre avionë F-35 dhe duke dëmtuar tre të tjerë. Ai gjithashtu pretendoi se gjatë sulmit u vranë disa oficerë, si dhe personel teknik dhe mirëmbajtës.
Nga ana tjetër, CENTCOM-i këmbënguli se të gjitha kërcënimet hyrëse u interceptuan ose nuk arritën t’i godisnin objektivat e tyre, megjithëse nuk bëri asnjë koment lidhur me viktima të mundshme në personel.


















