Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, teksa blloku po shqyrton masa të mëtejshme kundër Moskës ka deklaruar se sulmet hibride ruse në të gjithë Evropën mbajnë “të gjitha tiparet e terrorizmit të sponsorizuar nga shteti”.
Duke folur para një takimi joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Irlandë, Kallas tha se disa vende anëtare kishin thirrur ambasadorët rusë në lidhje me sulmet.
Kallas tha se BE-ja tashmë ka në përgatitje 1.600 sanksione që synojnë kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë dhe se listës mund t’i shtohen edhe të tjera.
Megjithatë, ajo theksoi se në takimin joformal nuk do të merren vendime zyrtare.
Duke iu referuar sulmit të dyshuar rus me dron në Aeroportin e Leipzigut në Gjermani në muajin gusht, Kallas tha se reagimi i Berlinit dërgoi “një sinjal shumë të fuqishëm”. Ajo shtoi se zyrtarët gjermanë ishin mirënjohës për mbështetjen e shprehur nga vendet e tjera anëtare të BE-së.
“Mendoj se ky është reagimi i unifikuar që duhet të kemi”, tha ajo. Kallas gjithashtu tha se sulmet duhet të shërbejnë si “thirrje për zgjim” për vendet që deri më tani kanë mbajtur një qëndrim më pak të ashpër ndaj Moskës.
Më tej, ajo njoftoi se edhe Ukraina do të marrë pjesë në një pjesë të diskutimeve, të cilat do të përqendrohen në koordinimin e masave të mëtejshme për të shtuar presionin ndaj Rusisë, në një kohë kur ajo ka intensifikuar sulmet ndaj civilëve.
Ajo shtoi se ministrat do të diskutojnë gjithashtu se si të bëhet më efektive politika e jashtme e BE-së, veçanërisht duke marrë parasysh kërkesën e bllokut për unanimitet në vendimmarrje.
“Në këtë kontekst gjeopolitik, duhet të jemi më të shkathët dhe duhet të jemi vërtet në gjendje të reagojmë ndaj situatave që shfaqen”, tha ajo.
Në agjendë do të jetë gjithashtu mbrojtja e infrastrukturës kritike, përfshirë përdorimin e dronëve nënujorë dhe mësimet e nxjerra nga risitë teknologjike të Ukrainës.
Sa i përket Lindjes së Mesme, ministrat do të diskutojnë për lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Kuq, bashkëpunimin e mundshëm me një nismë shumëkombëshe të udhëhequr nga Arabia Saudite si dhe zhvillimet në Bregun Perëndimor të pushtuar.























