| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së zgjedh 5 anëtarë jo të përhershëm për Këshillin e Sigurimit
Austria, Portugalia, Trinidadi dhe Tobago, Zimbabveja dhe Kirgistani fituan zgjedhjet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së zgjedh 5 anëtarë jo të përhershëm për Këshillin e Sigurimit
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së zgjedh 5 anëtarë jo të përhershëm për Këshillin e Sigurimit /Foto: AA

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka zgjedhur pesë anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mandatin 2027-2028.


Austria, Portugalia, Trinidad dhe Tobago, Zimbabveja dhe Kirgistani fituan zgjedhjet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Portugalia mori 134 vota, Austria 131, Trinidad dhe Tobago 181, Zimbabveja 182 dhe Kirgistani 142 vota, duke zëvendësuar Danimarkën, Greqinë, Pakistanin, Panamanë dhe Somalinë.

Kirgistani dhe Filipinet konkurruan për vendin e vetëm të Grupit Azi-Paqësor, ndërsa votimi shkoi në tre raunde pasi asnjëri prej tyre nuk siguroi shumicën e nevojshme prej dy të tretash në dy raundet e para.

Në raundin e tretë, Kirgistani u zgjodh me 142 vota, ndërsa Filipinet morën 49.

Pasi siguroi shumicën e kërkuar prej dy të tretash dhe numrin më të madh të votave, Kirgistani u zgjodh anëtar i Këshillit të Sigurimit për një mandat dyvjeçar që fillon më 1 janar.

Austria dhe Portugalia kanë shërbyer më parë nga tri mandate secila në Këshillin e Sigurimit, ndërsa Zimbabveja ka mbajtur dy mandate dhe Trinidad dhe Tobago një mandat.

Kirgistani do të shërbejë për herë të parë si anëtar jo i përhershëm.

Anëtarët e ri do të shërbejnë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga 1 janari i vitit 2027 deri më 31 dhjetor të vitit 2028.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm, përkatësisht Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja, si dhe nga 10 anëtarë jo të përhershëm që zgjidhen për mandate dyvjeçare. Çdo vit zgjidhen pesë anëtarë jo të përhershëm.

Zgjedhjet zhvillohen sipas shpërndarjes gjeografike, me dy vende të caktuara për Grupin Afrikan, një për Grupin Azi-Paqësor, një për Grupin e Amerikës Latine dhe Karaibeve dhe një për Grupin e Evropës Lindore.

Vendet në Këshillin e Sigurimit ndahen në baza rajonale për çdo mandat dhe kandidatët për t’u zgjedhur duhet të marrin të paktën dy të tretat e votave të shteteve anëtare të OKB-së, që korrespondojnë me 128 vota në një raund.