Egjipti theksoi sot nevojën për rinisjen e negociatave mes ShBA-së dhe Iranit dhe ndaljen e përshkallëzimit në Ngushticën e Hormuzit dhe atë të Bab el-Mandebit, gjatë takimeve të ndara mes ministrit të Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty dhe homologëve të tij iranian dhe omanez.
Takimet u zhvilluan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sipas dy deklaratave të Ministrisë së Jashtme të Egjiptit. Abdelatty dhe ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi diskutuan mbi përpjekjet dhe propozimet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për t'i frenuar tensionet dhe për ta ulur përshkallëzimin.
"Është me rëndësi të madhe që çdo vend t'i përmbushë përgjegjësitë e tij për të garantuar lëvizjen dhe lirinë e lundrimit ndërkombëtar, duke kufizuar pasojat negative të krizës për ekonominë globale", tha ministri i Jashtëm egjiptian.
Ai theksoi rëndësinë e respektimit të sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të Gjirit dhe të rajonit më të gjerë si dhe bëri thirrje për rikthimin e dialogut dhe rinisjen e diplomacisë përmes negociatave mes Washingtonit dhe Teheranit.
"Negociatat janë e vetmja mënyrë për t'i dhënë fund krizës aktuale dhe për t’i dhënë fund përshkallëzimit që po dëmton rëndë interesat e të gjitha vendeve të rajonit", tha Abdelatty.
Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit më 17 qershor, i cili parashikonte përfundimin e operacioneve ushtarake që kishin nisur në fund të shkurtit dhe masat për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim.
Zbatimi i marrëveshjes më vonë ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me zbatimin e saj dhe lundrimin përmes ngushticës, përpara se përplasjet të rifillonin në korrik. Në një takim të veçantë me ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr bin Hamad Al Busaidi, Abdelatty diskutoi zhvillimet rajonale dhe situatën në Detin e Kuq dhe në Ngushticën Bab el-Mandeb.
Bisedimet trajtuan gjithashtu krizën me Iranin dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit si dhe përpjekjet e Omanit, në koordinim me Egjiptin dhe ndërmjetësues të tjerë, për uljen e përshkallëzimit, tha Ministria e Jashtme e Egjiptit.
Abdelatty theksoi "prioritetin e ndaljes së përshkallëzimit dhe shmangies së çdo hapi që mund të nxisë tensionet dhe ta kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin", si dhe nevojën për ta garantuar lirinë e lundrimit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Grupi jemenas Huthi njoftoi më 20 korrik një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, në përgjigje të asaj që e cilësoi si bllokadë ajrore dhe detare saudite ndaj zonave nën kontrollin e tij në Jemen.





















