ShBA-ja shpenzoi rreth 6 miliardë dollarë në javën e parë të luftës me Iranin
Rreth 4 miliardë dollarë janë shpenzuar vetëm për municione dhe raketa interceptuese; ligjvënësit amerikanë presin një kërkesë shtesë për financim për të vazhduar luftën.
Java e parë e fushatës ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit ka kushtuar rreth 6 miliardë dollarë, u thanë zyrtarët e Pentagonit anëtarëve të Kongresit, ndërsa rreth 4 miliardë dollarë janë shpenzuar për municione dhe raketa të avancuara interceptuese.
Sipas gazetës New York Times, rreth 4 miliardë dollarë nga kjo shumë janë përdorur vetëm për municione dhe sisteme të avancuara interceptuese të projektuara për të rrëzuar raketat iraniane.
Shifrat u bënë publike gjatë diskutimeve në Kongres këtë javë, ku zyrtarë të lartë të mbrojtjes sinjalizuan gjithashtu se do të nevojiten fonde të tjera për të vazhduar operacionet dhe për të rimbushur rezervat e armëve që po shterojnë.
Sipas së përditshmes amerikane, rreth 4.000 objektiva iraniane janë goditur, përfshirë lëshues raketash, mjete detare dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, duke dobësuar ndjeshëm aftësinë e Teheranit për t’u kundërpërgjigjur.
Admirali Brad Cooper, kreu i Komandës Qendrore të ShBA-së (CENTCOM), tha se lëshimet e raketave balistike nga Irani kanë rënë me 90 për qind që nga dita e parë e luftimeve, ndërsa sulmet me dronë kanë rënë me 83 për qind.
Megjithatë, vendi ende zotëron një arsenal të konsiderueshëm armësh, përfshirë rreth 50 për qind të programit të tij raketor.
Rritja e kostove dhe shqetësimet buxhetore
Ligjvënësit amerikanë po përgatiten për një kërkesë shtesë për buxhet nga administrata në javët e ardhshme.
Shpenzimet e shpejta kanë tërhequr vëmendjen e të dy krahëve politikë në ShBA.
Kritikët argumentojnë se raketat interceptuese shumë të kushtueshme, disa prej të cilave vlejnë miliona dollarë secila, po përdoren me ritme që mund të vënë nën presion bazën industriale të mbrojtjes së ShBA-së dhe të krijojnë mungesa në fronte të tjera strategjike.
Lufta shpërtheu me sulme të përbashkëta të ShBA-së dhe Izraelit kundër objektivave ushtarake iraniane, por konflikti që atëherë është zgjeruar në gjithë Lindjen e Mesme, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me breshëri raketash balistike dhe dronësh, duke kërkuar reagime mbrojtëse shumë të kushtueshme.
Ndërsa debati për financimin e luftës po intensifikohet në Uashington, zyrtarët e Pentagonit theksuan nevojën për të ruajtur presionin ndaj kapaciteteve iraniane, duke balancuar njëkohësisht prioritetet afatgjata të mbrojtjes kombëtare.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një sulm në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 28 shkurt, ku u vranë më shumë se 1.200 persona, përfshirë udhëheqësin suprem iranian Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse, si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është kundërpërgjigjur me breshëri të gjera sulmesh që kanë shënjestruar baza amerikane, objekte diplomatike dhe personel ushtarak në rajon, si dhe disa qytete izraelite. Sulmet kanë vazhduar të përshkallëzohen.
Konflikti ka ngritur shqetësime edhe për furnizimin global me energji, mes një rënieje të ndjeshme të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe përmes së cilës transportohen rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë.