| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kosova përfiton 61,8 milionë euro nga pagesa e parë e BE-së për Planin e Rritjes
Me miliarda euro të investuara nga paslufta e vitit 1999, BE-ja mbetet një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë ndërsa përmes këtij plani synohet përshpejtimi i reformave dhe afrimi i Kosovës me tregun evropian.
Kosova përfiton 61,8 milionë euro nga pagesa e parë e BE-së për Planin e Rritjes
Kosova përfiton 61,8 milionë euro nga pagesa e parë e BE-së për Planin e Rritjes / AA
3 orë më parë

Kosova ka përfituar 61,8 milionë euro nga pagesa e parë e Bashkimit Evropian (BE) e cila ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit, ky hap vjen pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjeve të lidhura me planin dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria e Kosovës.

“Pas ratifikimit në Kuvend të Kosovës të Marrëveshjeve të lidhura me Planin e BE-së për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, Komisioni Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61,8 milionë eurosh për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Parafinancimi përbën 7 për qind të shumës totale prej 882,6 milionë eurosh, që Kosova pritet të përfitojë deri në fund të vitit 2027 në formë grantesh dhe kredish të favorshme.

“Këto mjete do të përkrahin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyçe në infrastrukturë të mbështetura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF)”, thuhet tutje.

Nga 61,8 milionë, 28,74 milionë euro janë transferuar sot si kredi në buxhetin e Kosovës ndërsa pjesa tjetër prej 33,04 milionë euro (17,73 milionë grante dhe 15,31 milionë kredi) do të kanalizohet përmes WBIF-it.

Në kuadër të Agjendës së Reformave, Kosova është zotuar për zbatimin e 111 hapave reformues në fusha të ndryshme si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.

Afati i parë përfundimtar i pret 13 hapa të reformave që së bashku kapin vlerën prej 90,8 milionë eurosh, të cilat priten deri më 30 qershor 2026. Për më tepër, fundi i këtij viti shënon afatin përfundimtar për 27 hapa të tjerë të reformave që kapin vlerën prej 165,9 milionë eurosh. Me këtë rast, BE thekson se pagesat do të varen nga zbatimi i reformave të dakorduara.

“Pagesat sipas Planit për Rritje Ekonomike do të bëhen në mënyrë progresive me zbatimin nga Kosova të reformave të dakorduara. Nëse nuk përfundohen brenda afateve të përcaktuara hapa të caktuar të reformave, nuk do të disbursohen mjetet përkatëse”, thuhet më tej.

Shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, theksoi rëndësinë e planit për reforma dhe integrim evropian. Palatova tha se Plani për Rritje Ekonomike ofron mundësi konkrete për përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në dhe për afrim më të madh të ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët të BE-së.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se vendi është i përkushtuar në zbatimin e reformave si dhe për t’i shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara nga Plani për Rritje Ekonomike.

Me miliarda euro të investuara nga paslufta e vitit 1999, BE-ja mbetet një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë ndërsa përmes këtij plani synohet përshpejtimi i reformave dhe afrimi i Kosovës me tregun evropian.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë