| Albanian
BOTA
4 minuta leximi
Fituesi i "Istanbul Photo Awards": Fotoreporteria duhet të shkojë përtej dokumentimit të luftës
Diego Ibarra Sanchez thekson arsimin, dinjitetin dhe shpresën përmes punës së tij të vlerësuar me çmime në Siri dhe Afganistan.
Fituesi i "Istanbul Photo Awards": Fotoreporteria duhet të shkojë përtej dokumentimit të luftës
Fituesi i "Istanbul Photo Awards": Fotoreporteria duhet të shkojë përtej dokumentimit të luftësFituesi i "Istanbul Photo Awards": Fotoreporteria duhet / َAA

Një nga fituesit e shumëfishtë të "Istanbul Photo Awards", Diego Ibarra Sanchez thotë se fotogazetaria duhet t'i sfidojë shikuesit të përballen me pasojat afatgjata njerëzore të luftës, në vend që thjesht ta dokumentojë konfliktin, duke theksuar se arsimi, dinjiteti dhe shpresa mbeten në qendër të punës së tij.

Ibarra Sanchez, fotograf dokumentarist, regjisor dhe edukator spanjoll me bazë në Liban, fitoi çmimin e parë në kategorinë "Story Daily Life" të "Istanbul Photo Awards" me serinë "Reimagining Syria", çmimin e parë në kategorinë "Single Daily Life" me fotografinë "Education in Afghanistan" dhe çmimin e dytë në kategorinë "Single Portrait" me fotografinë "Studying in Afghanistan".

Sipas biografisë së tij, projektet e tij afatgjata të rrëfimit vizual eksplorojnë koston njerëzore të konflikteve, duke synuar të nxisin reflektim dhe jo të përforcojnë stereotipet. Bashkëpunëtor i "The New York Times" që nga viti 2012, Ibarra Sanchez ka publikuar gjithashtu punime në France 24, CNN, Der Spiegel, Revista 5W, NZZ, Diari ARA, UNHCR dhe UNICEF.

Biografia thekson se fotografia e tij mbështetet në një gjuhë artistike vizuale për të shkuar përtej paraqitjes së vuajtjeve, duke i ftuar shikuesit të shtrojnë pyetje të reja mbi botën bashkëkohore.

Rikonceptimi i Sirisë përtej konfliktit

Seria fituese "Reimagining Syria", e realizuar për "The New York Times", dokumenton jetën e përditshme në Latakia, Idlib, Halep dhe Damask, duke paraqitur një shoqëri që përpiqet të lërë pas diktaturën dhe izolimin ndërsa përballet me një të ardhme të pasigurt.

"Më mungonte historia se si një vend po rindërtohet", tha ai në një intervistë për Anadolu. Në vend që të fokusohet vetëm te shkatërrimi, projekti paraqet sirianët duke u kthyer në tregje, duke u mbledhur në hapësira publike dhe duke rikthyer jetën e përditshme.

"Po tregoj se si një shoqëri po ecën përpara, po krijon ura të reja dhe po përqafon një ndjenjë të re komuniteti dhe përkatësie ndaj vendit të saj", tha ai.

"Ne duhet të tregojmë edhe histori shprese. Duhet ta shfaqim shpresën. Duhet të krijojmë kujtesë", u shpreh Ibarra Sanchez.

Dokumentimi i kostos së fshehur të luftës

Projekti i tij afatgjatë "Hijacked Education", i zhvilluar për më shumë se një dekadë në mbi 10 vende, shqyrton mënyrën se si lufta vazhdon të ndikojë në të ardhmen e fëmijëve edhe shumë kohë pasi përfundon konflikti.

"Nuk bëhet fjalë për spitale të shkatërruara. Nuk bëhet fjalë për infrastrukturë apo rrugë. Bëhet fjalë për mënyrën se si lufta ndikon në arsim", tha ai.

"Lufta nuk përfundon me plumbin e fundit ose kur dikush ngre një flamur. Ka të bëjë më shumë me pasojat psikologjike me kalimin e kohës dhe mënyrën se si ato do të vazhdojnë të ndikojnë", tha Ibarra Sanchez.

Një nga fotografitë e tij fituese paraqet vajza që ndjekin një shkollë joformale në ambient të hapur në distriktin Chaparhar të Afganistanit, ku mungesa e burimeve dhe kufizimet ndaj arsimit të vajzave vazhdojnë ta pengojnë qasjen në shkollim.

Një tjetër fotografi paraqet Dunyan tetëvjeçare, e cila jeton në një jetimore në Kabul pasi babai i saj u vra nga talebanët.

Ibarra Sanchez tha se puna e tij synon të tërheqë vëmendjen te fëmijët e përfshirë në konflikt. "Duhet t'i kushtojmë vëmendje faktit se ky brez ndodhet në mes të zjarrit. Ata nuk janë luftëtarë. Nuk mbajnë armë", tha ai.

"Istanbul Photo Awards"

"Istanbul Photo Awards" i Anadolut është bërë një nga konkurset më të rëndësishme të fotogazetarisë në botë, duke e vlerësuar artin e rrëfimit vizual dhe duke hedhur dritë mbi çështje me rëndësi globale.

Më shumë informacione rreth fotografive fituese dhe anëtarëve të jurisë së këtij viti, në konkursin e organizuar me mbështetjen e "Turkcell" si sponsor i komunikimit, mund të gjenden në faqen zyrtare të "Istanbul Photo Awards".



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë