| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Integrimi evropian dhe dialogu me Serbinë në fokus të takimit Kurti–Sorensen
Bëhet e ditur se në kontekst të integrimit evropian, palët diskutuan edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Integrimi evropian dhe dialogu me Serbinë në fokus të takimit Kurti–Sorensen
Integrimi evropian dhe dialogu me Serbinë në fokus të takimit Kurti–Sorensen / AA
4 orë më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, mbrëmë priti në darkë pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE), përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave.

Bëhet e ditur se në kontekst të integrimit evropian, palët diskutuan edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi i Posaçëm Sorensen biseduan edhe për aktualitetet politike dhe zhvillimet e brendshme.

Para se të qëndronte në Prishtinë, emisari i BE-së, Sorensen vizitoi Beogradin më 9 prill, ku zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Takimet e tij janë në kuadër të përpjekjeve për të organizuar një takim të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Që nga shtatori i vitit 2023, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë takim në nivel të udhëheqësve. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua në shtator të atij viti, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.