Kosovë, mbahet seanca e radhës ndaj të akuzuarve për rastin Banjska

I akuzuari Maksimoviq ka folur për një fotografi ku ai shfaqet me uniformë, duke theksuar se ajo është realizuar në vitin 2022 dhe se nuk ka lidhje me ngjarjet e Banjskës.

By
Kosovë, mbahet seanca e radhës ndaj të akuzuarve për rastin Banjska / AA

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e radhës ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku i akuzuari Dushan Maksimoviq ka dhënë mbrojtjen e tij lidhur me provat e paraqitura nga prokuroria.

Gjatë dëshmisë, Maksimoviq ka folur për një fotografi ku ai shfaqet me uniformë, duke theksuar se ajo është realizuar në vitin 2022 dhe se nuk ka lidhje me ngjarjet e Banjskës. Ai deklaroi se uniforma në fjalë ishte e gjuetisë dhe se e kishte marrë për përdorim personal.

"Unë nuk kam qenë i angazhuar nga askush dhe për asgjë. Fotografia është bërë në shtëpinë time, për argëtim, dhe ka qenë hera e parë që kam pasur një uniformë të tillë", tha Maksimoviq duke shtuar se uniformën e kishte marrë dhuratë nga një mik i tij.

Ai tha se data e realizimit të fotografisë e cila ju shfaq në seancë është e datës 13 dhjetor 2022, apo rreth 250 ditë para sulmit në Banjskë dhe se uniforma e që ai mbanë në foto nuk ngjanë me ato të përdorura në sulmin në Banjskë.

Duke komentuar edhe fotografi të tjera ku shihet duke marrë pjesë në protestën e dhunshme në Zveçan gjatë vitit 2023, Maksimoviq mohoi çdo përfshirje në veprime të paligjshme, duke theksuar se asnjë nga ato pamje nuk lidhet me sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.

Në këtë rast, përveç Maksimoviqit, të akuzuar janë edhe Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, ndërsa 42 persona të tjerë përfshihen në aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit dyshohen për vepra terroriste dhe veprime kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, duke pasur role të ndryshme nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve deri te financimi dhe pastrimi i parave.

Në aktakuzë thuhet se grupi kishte për qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë, ndërsa si lider i grupit përmendet Millan Radoiçiq, i cili ndodhet në listën e zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sulmi në Banjskë, i cilësuar si akt terrorist nga autoritetet e Kosovës, ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku ndërsa në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues.