Irani paralajmëroi të hënën ShBA-në dhe aleatët e saj kundër një “gabimi strategjik” apo llogaritjeje të gabuar, ndërsa një komandant i lartë ushtarak deklaroi se forcat e armatosura të vendit janë më të përgatitura dhe më të fuqishme se më parë.
Ali Abdollahi, komandant i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, tha në deklarata të transmetuara nga televizioni shtetëror iranian IRIB se forcat e armatosura iraniane mbeten në gatishmëri të lartë dhe janë të përgatitura për t’iu përgjigjur çdo sulmi të ri.
Abdollahi tha se armiqtë e Iranit e kanë testuar vazhdimisht vendin dhe forcat e tij të armatosura.
“Ata duhet ta dinë se Republika Islamike e Iranit dhe forcat e saj të armatosura janë më të përgatitura dhe më të fuqishme se më parë, me gishtin në këmbëz”, tha ai.
Ai paralajmëroi se çdo sulm i ri do të përballet me një përgjigje “të shpejtë, vendimtare, të fuqishme dhe në shkallë të gjerë”.
Abdollahi shtoi gjithashtu se Irani i ka demonstruar aftësitë e tij “në fushëbetejë”, duke paralajmëruar se çdo veprim i ri nga armiqtë e tij do të përballet me një përgjigje më të fortë se ajo gjatë luftës së fundit.
“Ne do t’i mbrojmë të drejtat e kombit iranian me gjithë fuqinë tonë dhe do t’ia presim dorën çdo agresori”, tha ai.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit në shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, si dhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet pasuese në Islamabad nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje afatgjatë. Presidenti amerikan, Donald Trump, më vonë e zgjati armëpushimin për një afat të pacaktuar.












